Bota
Protestuesit “sulmojnë” Macron: Përleshen me policinë në panairin e bujqësisë në Paris!
Zemërata e fermerëve francezë nuk ndalet, e së fundi ata hynë me traktorë në qendrën e Parisit për të shtuar presionin mbi presidentin Emmanuel Macron, i cili u kishte premtuar një takim për të diskutuar ankesat e tyre, por më pas e anuloi eventin.Protestuesit, që i janë bashkuar një lëvizjeje mbarëevropiane kundër konkurrencës nga importet e lira nga jashtë Bashkimit Europian dhe për fitimeve të ulëta, kërkuan më insistim përgjigje nga qeveria franceze teksa në kryeqytetin francez çelej panairi kombëtar bujqësor, Salon de l’Agriculture. Këtë moment ata e shfrytëzuan për të maksimalizuar efektet e protestës së tyre: Dhjetëra tubues, disa prej të cilëve kishin me vete bilbilë, hynë me forcë në ambientet e panairit pak pasi aty kishte mbërritir shefi i Elizesë, Emmanuel Macron. Përleshje shpërthyen mes forcave të sigurisë dhe protestuesve të veshur me shenja dalluese të tre sindikatave, teksa presidenti francez diskutonte me liderë sindikalistë në një ambient aty pranë, i rrethuar nga truproja.“Kjo është shtëpia jonë”, bërtisnin protestuesit që kërkonin dorëheqjen e Macronit teksa forcat policore shtrëngonin rreshtat me shpresën të mos lejonin daljen e situatës jashtë kontrollit, e sipas mediave vendase, pati edhe arrestime.