Connect with us

Kosova

Prova dhe fakte/ Gërvalla ngre zërin dhe kërkon llogari për 24 shtatorin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, akuzoi Bashkimin Evropian për mospublikimin e rezultateve të hetimit për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Shefja e diplomacisë kosovare theksoi se ndonëse Forcës së NATO-s (KFOR) dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) i janë ofruar raporte, prova dhe dëshmi të aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023, nuk ekziston asnjë reagim serioz nga BE-ja, ndërsa shtoi se Unioni ende ka iluzione se Serbia do të largohet nga krahët e Rusisë.

“KFOR-i dhe EULEX-i i kanë të gjitha faktet dhe këtu shtrohet pyetja: Pse BE-ja ende nuk e merr guximin t’i japë emërtimin e merituar asaj çfarë ndodhi në Banjskë. Nuk mund të jenë institucionet e Kosovës përgjegjëse pse disa persona në BE nuk marrin guximin te thonë të vërtetën… Iluzionet rreth përkëdheljeve të Serbisë rrezikojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” – deklaroi Gervalla.

Kryediplomati vendosi në dyshim edhe punën e Emisarit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të cilit ia faturoi të gjitha dështimet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së. Banjska, shtoi Gërvalla, është dëshmia më e mirë.

“Ndërmjetësuesi duhet të jetë serioz në të gjitha inciativat. Lajçak ka marrë një detyrë përsipër për të cilën nuk paguhet pak nga paratë e taksapaguesve të BE-së. Ai do duhet të kishtë një strategji dhe nuk duhet t’i injoronte sinjalet gjatë rrugës” – shtoi ndër të tjera kryediplomatja kosovare.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për rrjetin evropian të lajmeve “Euractiv”, njoftoi se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Duke qenë se në këtë fazë, asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm.

Advertisement