Connect with us

Kosova

Prova e 17-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Për herë të 17-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të tentuar konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo do të jetë seanca e parë pas takimit të zhvilluar të enjten ndërmjet liderëve të partive politike dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani — takim i cili, sipas deklaratave pas përfundimit të tij, nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

Ndërkohë, seanca e së enjtes zgjati vetëm pesë minuta dhe më pas u ndërpre, pasi deputetët dështuan sërish në formimin e komisionit për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pro votuan 55 deputetë.

Seanca e së shtunës do të nisë nga ora 10:30. Megjithatë, asnjëra nga partitë politike nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për ndonjë ndryshim qëndrimi lidhur me votimin e fshehtë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma dhe Lista Serbe janë shprehur kundër këtij votimi.

Ndërkaq, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që partia që mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të ndryshojë emrin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk shprehu “as brengë, as urgjencë” për zgjidhjen e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit për më shumë se tre muaj.

 

Fotografi nga takimi mes liderëve politikë në Presidencën e Kosovës, 15.05.2025

Kështu të paktën tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media, pas një takimi të përbashkët mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe liderëve të partive politike.

“Ajo çka më habiti shumë është se kryetari i LVV-së na tha që s’ka asnjë urgjencë, që kjo pritje më tepër është çështje mediatike se sa e popullit të Kosovës […] që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik, dhe nuk ka as iniciativë që do ta zhbllokojë këtë gjendje të tanishme. Dhe kjo është për keqardhje”, tha ai.

Megjithatë, për të parën e shtetit, ndryshe nga Kurti, konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur, meqë pasojat kryesore nga ky zhbllokim po i pësojnë qytetarët.

Me mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sipas Osmanit, po zvarritet në mënyrë të panevojshme procesi i disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, ku Kosova do të duhej të përfitonte rreth 900 milionë euro.

“Dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, tha ajo të enjten.

Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të takimit me presidenten Osmani dhe liderët e tjerë partiakë, ilustroi mungesën e konsensusit politik përmes një metafore duke thënë se “s’ka dalë tym i bardhë – pra, nuk ka asnjë zhvillim të ri”.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh fare shkurt, duke konfirmuar se paraqiti qëndrimin e njohur të partisë së tij “ne kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të kuvendit një person unifikues”.

Presidentja Osmani ka deklaruar se, në rast se situata vazhdon për një kohë të gjatë në këtë mënyrë, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat të caktuar se kur mund të ndërmarrë një veprim të tillë, duke shtuar se këtë mund ta bëjnë edhe vetë deputetët.

Advertisement