Connect with us

Politike

PS bojkotoi mbledhjen e KKIE/ Tabaku: Zhgënjyes, penguan transparencën dhe llogaridhënien

Deputetja e PD-së, Jordia Tabaku ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me bojkotimin nga ana e socialistëve që i bënë ditën e sotme mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Tabaku shkruan se ditën e sotme në mbledhjen e KKIE do duhet të raportonte Ministria për Administratën dhe Luftën Kundër korrupsionit për punën e saj në raport me kërkesat e Progres Raportit, por mazhoranca që premton luftë kundër korrupsionit ka vendosur të bojkotojë këtë mbledhje duke penguar jo vetëm transparencën por edhe llogaridhënien.

Sipas deputetes demokrate, opozita e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe ka propozuar masa të qarta për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ku sipas saj, përpjekjet e tyre fillimisht u injoruan, pastaj u përgënjeshtruan dhe në fund u pranuan.

Tabaku shprehet e zhgënjyer nga bojkoti i sotëm i socialistëve, pasi sipas saj, mendonte se mund të ndahen për shumë tema por për asnjë moment për çështjen e integrimit.

Reagimi i plotë:

Opozita e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe integrimin

Në një periudhë kur Shqipëria po analizon kapitujt mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit në raportin e screening, vendi po përballet me një krizë të thellë besueshmërie ndaj institucioneve. Sondazhet e fundit tregojnë një rritje të perceptimit të korrupsionit endemik, ndërsa hetimet e SPAK zbulojnë përditë raste të reja korrupsioni, aq sa administrata publike është bërë e paaftë të veprojë nga frika e kurtheve proceduriale të ngritura për të mbuluar korrupsionin e nivelit të lartë.

Kjo situatë pasqyron një mjedis të ndotur nga korrupsioni që ka pllakosur Shqipërinë. Detyra jonë si ligjvënës dhe si kuvend është të gjejmë zgjidhje për të luftuar këtë fenomen dhe për të rikthyer besimin e publikut në institucione. Kjo është një betejë e madhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe për të ndryshuar kulturën e qeverisjes në mënyrë që të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve, jo vetëm një pakice.

Opozita ka shprehur gadishmërinë dhe ka propozuar masa të qarta për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përpjekjet tona fillimisht u injoruan, pastaj u përgënjeshtruan dhe në fund u pranuan. Megjithatë, pranimi i problemit nuk është shoqëruar me reflektimin e nevojshëm për të shpëtuar një sistem të sëmurë. Në vend të kësaj, është përdorur për të ruajtur një status quo që favorizon pakicën në kurriz të shumicës.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, me gjithë problematikat e tij, ka dëshmuar përpjekje të sinqerta për të përmirësuar procesin e integrimit dhe raportin e parlamentit ndaj këtij procesi. Ndryshimet ligjore të miratuara bashkërisht janë një dëshmi e kësaj metodike pune. Prandaj, ndërsa dëgjojmë mazhorancën që kërkon përfshirjen e integrimit në Komisionin që ata kërkojnë, duhet të kemi parasysh se burimi i një procesi të suksesshëm integrimi janë dy parime kryesore: dakordësia dhe dialogu.

Të dy këto parime do të ishin të domosdoshme edhe sikur shoqëria apo politika jonë të ishte në nivelet më të larta, që në fakt nuk është e tillë. Në kushtet pra, kur Shqipëria është në një krizë të thellë dhe reale kredibiliteti të mazhorancës socialiste që përdor çdo mjet ligjor për të zhbërë transparencën dhe llogaridhënien, vendi jonë i ka domosdoshmëri këto dy parime kyçe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se mazhoranca nuk e ka as integritetin e plotë dhe as lartësinë morale për të kërkuar e vetme krijimin e një komisioni të tillë në emër të të ashtuquajturës “transparencë” apo llogaridhënie.

Që ky rrugëtimi në BE të jetë real duhet të kthehet nga një qokë për të marrë një “tick” në takimet me BE, në reforma që kontribuojnë në rritjen e mirëqënies në vendin tonë. Dhe kjo do të thotë institucione të pavarura dhe një llogaridhënie e vërtetë të qeverisë ndaj parlamentit. Pra, një proces integrimi pranë qytetarëve dhe në shërbim të tyre.

Ndërsa vendi vazhdon të jetë një demokraci e ndryshkur dhe jo realisht eficente, parlamenti i vendit është kthyer në një ingranazh (të rëndësishëm) të atij kombinati korrupsioni që një nga një po përtyp heronjtë socialistë. Ligjet me porosi vazhdojnë të jenë një emblemë e zezë ndërkohë që ne na duhet një betejë reale dhe e pakompromistë përballë korrupsionit.

Shqipërisë i duhet kjo betejë dhe në fakt duhet ta nisë atë pikërisht nga salla e këtij parlamenti. Shqiptarëve u duhet integrimi por mbi të gjitha u duhet reforma e rëndësishme ekonomike dhe jo vetëm për të ndërtuar një model anti-korrupsioni që është parandalues.

Detyra funksionale e këtij Këshilli kombëtar është forcimi i transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë dhe institucioneve të pavarura në raport me procesin e screening. Për sa kohë kjo detyrë vazhdon me sukses dhe që transmeton shqetësimet edhe të shoqërisë civile, atëherë do duhet të jetë ky mediumi përmes të cilit ne të flasim për integrimin dhe luftën kundër korrupsionit. Por ky medium është produkt i vullnetit politik të të dyja palëve që nëse realisht kërkojnë një proces integrimi dobiprurës dhe në shërbim të vendit duhet të respektojnë parimet për të cilat kemi rënë dakord.

Ditën e sotme në KKIE do duhet të raportonte pikërisht Ministria për Administratën dhe Luftën Kundër korrupsionit për punën e saj në raport me kërkesat e Progres Raportit. Fatkeqësisht, mazhoranca socialiste që ndonëse premton luftë kundër korrupsionit dhe angazhimin e saj në procesin e integrimit ka vendosur të bojkotojë këtë mbledhje duke penguar jo vetëm transparencën por edhe llogaridhënien.

Jo më larg se një vit më parë kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet mbi Rolin e Parlamentit në Procesin e Integrimit, ndryshime që ishin një ridimensionim i punës dhe rolit të këtij institucioni për ta afruar procesin e integrimit me shqiptarët dhe qytetarët duke rritur akoma më shumë pjesmarrjen e shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe sindikatave në këtë proces.

Në këtë sallë gjenden përfaqësuesit e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe sindikatave por mungon mazhoranca socialiste. Ky bojkot i çuditshëm dhe tërësisht i pakuptimtë pasi ka pasur një dakordësi për orarin, vendin dhe temën shpërfaq në të vërtetë mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe vazhduar më tej procesin e integrimit.

Kjo sallë e bojkotuar, fare çuditërisht nga mazhoranca socialiste, dëshmon edhe një herë se ndryshe nga çfarë propagande dëgjohet në zyrat ndërkombëtare, në emisionet televizive apo intervistat në gjuhë të ndryshme për vullnetin dhe aspiratën e kësaj qeveria për një integrim në 2030 është e rremë dhe iluzionare.

Bojkoti i sotëm është zhgënjyes. Pasi ne mund të ndahemi për shumë tema por për asnjë moment nuk kam menduar që mund të ndahemi për çështjen e integrimit.

Beteja e opozitës është për një Shqipëri që përqafon realisht demokracinë institucionale duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe transparencën e llogaridhënien mes tyre. Procesi i integrimit është rruga drejt një Shqipërie perëndimore dhe në përputhje me këto vlera. Lufta kundër korrupsionit, parandalimi i korrupsionit dhe përpjekja për një Shqipëri brenda BE-së nis dhe përfundon në këtë sallë dhe me angazhimin e të zgjedhurve të shqiptarëve nga të gjitha anët politike. Kjo është një betejë që mbështetet nga 93% e shqiptarëve.

Prandaj, i ftoj kolegët e mi socialistë të kuptojnë rëndësinë e këtij procesi dhe të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dhe të bashkohen përtej ndasive politike në këtë përpjekje të përbashkët për të ardhmen e vendit tonë.

Advertisement