Politike
PS-ja, makineri lufte e pamposhtur në territor, Rama e quan fitoren e zgjedhjeve “referendum për Evropën”

Pas fitores së thellë, e cila mbetet thjesht një formalitet për t’u zyrtarizuar, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka ndarë me mediat e huaja përshtypjet e para.
Në një intervistë të dhënë për gazetën italiane “la Repubblica”, kreu i Qeverisë i konsideron votimet e të dielës si “një referendum për Evropën”.
“Ne fituam sepse këtu ka një dëshirë të madhe për Evropën, të cilën ne e mishërojmë më mirë se kushdo tjetër. Njerëzit duan të arrijnë atje. Po negociojmë me një shpejtësi mbresëlënëse”, thekson fillimisht ai për botimin italian.
La Repubblica shkruan në vijim se për herë të katërt ai është kryeministër i Shqipërisë, duke e bërë “udhëheqësin më jetëgjatë të vendit pas Enver Hoxhës”.
Pyetjes nëse do ta kishte imagjinuar një gjë të tillë në kohën kur ishte student, Rama i përgjigjet kështu:
“Nëse dikush do të më kishte thënë, do t’i kisha thënë të vizitohej te një psikiatër”, thotë kryesocialisti.
Sipas tij, forca e socialistëve në Shqipëri është e lidhur me dy shtylla: “ambicia jonë për ta transformuar Shqipërinë dhe për të ndjekur një vizion të guximshëm modernizimi pa u dorëzuar kurrë. Dhe partia e vërtetë, shumë mirë e organizuar kudo në vend, një makineri lufte e pamposhtur në territor”.
Lidhur me denoncimet e selisë blu për mashtrime elektorale, Rama shprehet se “është mësuar me to”.
“Në 35 vjet pluralizëm, ata kurrë nuk e kanë pranuar vërtet një zgjedhje të humbur. Ka pasur raste të izoluara të votave të fotografuara dhe të publikuara në mediat sociale nga shqiptarë jashtë vendit, të cilët votuan për herë të parë me shumë entuziazëm. Të vetmet ankesa që kanë rëndësi janë ato që i raportohen prokurorisë sonë speciale, SPAK, e cila duhet të verifikojë gjithçka. Pjesa tjetër janë thjesht biseda në bar pas një ndeshjeje të humbur. Ku faji është gjithmonë i kundërshtarëve ose i gjyqtarit”, mendon kryeministri.
Sa i përket samitit të Komunitetit Politik Evropian (i cili do të mbahet të premten e 16 majit – ed.), kryeqeveritari thekson se mbart rëndësi sepse është takimi i parë “pas zhvillimeve midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-ve”.
“Unë mendoj se Evropa duhet të ketë një ide të qartë për këtë lojë të re që është hapur në botë dhe të përpiqet të jetë shumë e bashkuar. Dhe ne gjithashtu duhet ta mbajmë Ballkanin sa më të bashkuar të jetë e mundur në rrugën evropiane”, ravijëzon kryeministri shqiptar Edi Rama.

