Shkrime
Pse as vetë Rama nuk duhet të gëzohet nga kjo fitore kaq e thellë
Nga Endri Xhafo
E kam thënë shpesh, Rama në politikë i ngjan Gjermanisë në futboll, është i pamëshirshëm edhe nëse rezultati është 4-0. Ka për borxh ta çojë 7-1, nuk i bëhet vonë, ta vë shkelmin në fyt dhe gjen gëzim të lig duke të parë të vuash. Por politika në këtë vend nuk është ndeshja e futbollit Gjermani-Brazil dhe kjo fitore kaq e thellë e PS-së nuk është thjesht arrogante në raport me kundërshtarin, kjo është e dëmshme për vetë demokracinë!
Nuk ka pasur probleme demokracie Gjermania kur CDU ka drejtuar me nga 4 mandate qeverisës rresht, qoftë përgjatë “mbretërimit” të Helmut Kohlit, qoftë të Angela Merkelit. Kurse në Shqipëri kjo fitore rrezikon të shuajë edhe të fundmit zëra kritikë ndaj qeverisë, që tashmë fitoren e ka kthyer në alibi të çdo dështimi, mungese llogaridhënie, apo arrogance, sipas parimit “fituesi nuk gjykohet”. Në fakt kjo lloj fitoreje gjykohet që ç’ke me të!
Jo! Por e imagjinoj fare mirë duke mos korruptuar lidershipin e opozitës ndër vite; duke mos futur duart te vendimi i gjykatës për vulën vetëm pak orë nga afati i regjistrimit të koalicioneve në KQZ; duke mos i imponuar KAS-it të KQZ-së vendimin për të shtuar në fletën e votimit emrin e Ilir Metës si kryetari i koalicionit opozitar, çka ligji nuk e kërkon; e imagjinoj duke mos kërcënuar banorët se nuk do t’u çojë fonde qeveritare nëse zgjedhin një kandidat të opozitës, apo duke mos vënë në lëvizje gjithë strukturën paralele të patronazhimit dhe intimidimit, blerjes përmes rindërtimit dhe legalizimit, kontabilizimit të favoreve të tjera, etj.etj. Pra, me një fjalë, e imagjinoj fare mirë duke luajtur ndershëm. Nëse Edi Rama do të kishte luajtur ndershëm, rezultati padyshim do të kishte qenë i ndryshëm!
Por loja e pandershme që çoi në rënien e bastioneve të Kamzës, Tropojës, Kavajës, e së fundmi Shkodrës, më shumë se nga ndonjë bindje e tij e brendshme për vokacionin që ka për ta qeverisur këtë vend nga cepi në cep, – duke imponuar në fakt shije dhe vizion të debatueshëm zhvillimor, – buron nga nevoja e mbrapshtë për ta poshtëruar kundërshtarin. Ai po i tregon tani Berishës se nuk i ka mbetur më asgjë, se ai, Edi Rama, ia mori të gjitha. Por po i bën llogaritë gabim.
Nuk është Berisha që do të vuajë nga kjo. Tek e fundit Berisha, përveç raportit vetjak me historinë, të gjitha të tjerat i ka të rregulluara, jetën e ka të zgjidhur për vete dhe brezat në vazhdim. Ajo që do të vuajë nga kjo fitore arrogante është demokracia.
Sepse nuk do të mbesë më njeri për t’i kërkuar llogari Edi Ramës. Njerëzit, të stepur nga fitoret e njëpasnjëshme të tij, do të largohen nga ky vend “që s’bëhet dhe s’ka për t’u bërë ndonjëherë”; ata që do të mbesin do të bëhen oportunistë, do të heshtin, nga frika se dikujt mund t’i heqin gruan nga puna e dikujt tjetër se mund t’i mësyjnë inspektorët në biznesin familjar.
Biznesmenët e mëdhenj do të duan të punojnë me kontrata qeveritare, kurse gazetarët, që kanë kredi në bankë dhe familje për të mbajtur, do të frenohen nga vetëcensura dhe nga pronarët e mediave, që nuk do të kenë më asnjë interes të kritikojnë qeverinë.
Edi Rama është nga ata që të fut ruspat dhe të vë drynin pa vendim gjykate dhe pa më të voglën brengë morale se po prish pikërisht një hotel, restorant, apo pishinë që ai vetë e ka dizenjuar në kohën kur ishte klient i rregullt i saj.
Njerëzit përreth Ramës do të vazhdojnë të fusin duart në tregun mediatik, duke bërë lëvizje konjukturale, duke blerë media, duke mbyllur programe, duke blerë “zëra opozitarë”, duke orientuar tregun e reklamës, duke hequr njerëz nga puna. Të qenit kritik me qeverinë është shndërruar sot në luks! Duhet ta kesh jetën të zgjidhur, – e sa veta e kanë, – që ta kritikosh qeverinë pa pasur frikë nga pasojat.
Edi Rama është një hakmarrës i hidhur.
Në këtë pikë, ta krahasosh atë me Edmond Dantesin, është e pavend. Sepse Dantesit i ranë në qafë padrejtësisht dhe i morën jetën. Po Edi Ramës çfarë i kanë marrë? Anti-konformisti i dikurshëm i Institutit të Arteve, është bërë sot alergjik ndaj kritikës. Dhe kështu ka edukuar edhe ata përreth vetes: “Ça ke me plak? Pse lu keq? Ke pa keq nga ne”?
Tre mandatet e tij qeverisës janë amnistuar politikisht nga fitoret e njëpasnjëshme elektorale, fitore të cilat i shërbejnë tani si alibi për kanabizimin, inceneratorët, Portin e Durrësit, McGonigal, ndërtimin si “lavatriçe e parave të pista”, amnistinë fiskale, rrogat dhe pensionet, shëndetësinë falas, tenderat, koncesionet, nivelin e ministrave, apo çerrat e administratës që “punojnë” vetëm për Instagramin e institucionit.
Fituesi nuk gjykohet.
Ndaj, në këtë pikë, i vetmi lajm i mirë për Shqipërinë vjen nga Presidenti Erdogan në Turqi: Ai nuk fitoi më 14 maj!