Connect with us

Shkrime

Pse Basha është armiku më i urryer i Berishës?

Nga Ylli Pata

Sali Berisha ka pasur armiq thuajse të gjithë drejtuesit e themeluesit e Partisë Demokratike. Nga Neritan Ceka, te Gramoz Pashko, nga Preç Zogaj, te Genc Pollo. Nga Aleksandër Meksi, te Genc Ruli apo Bamir Topi.

Me kalimin e viteve me shumicën e tyre është pajtuar apo paqtuar në një farë mënyrë, por prej një viti po shikohet se njeriu që ai e zgjodhi dhe e ngriti në karrierë për t’i “dorëzuar” partinë është kthyer në njeriun më të urryer të tij edhe të familjes.

Edhe pse Basha, nga familja u rekomandua si një “çun i mirë” që duhet të përdoret për të “drejtuar” partinë ndërkohë që në të vërtetë e drejtonte Doktori.

Edhe lajmi i sotëm i shpërndarë për “drekën e gabuar” ndërmjet ambasadores Yuri Kim e Lulzim Bashës e Tabakut është shpërndarë me një inat, që duket ka dalë nga tastiera e Ipad-it të famshëm të Berishës.

E gjithë kjo urrejtje, mund të kishte një arsye një vit më paë, kur Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar, e siç u quajt për mbi 365 ditë ishte “besëpreri”.

Por sot nuk ka si të kishte kuptim, pasi Basha nuk është më kryetari i Partisë Demokratike, e Sali Berisha është bërë kryetar, të paktën nga Agron Zhukri, burri i sekretares së Doktorit, që i futi një vendim në Gjykatën e Shkallës së Parë, a thua se ishte një kadi pooperative e jo një gjyqtar, ku duhet të thërriste palët për t’u sqaruar në një salllë gjyqi.

Pra Berisha është hipur në kalë e Basha, mori me vete së bashku me largimin edhe inatin e Gridës e Saljanjit, edhe atë të ish-përkrahësve të tij që edhe sot e kësaj dite deklarojnë se nuk duhet të kthehet në drejtimin e PD-së.

Në logjikë dialektike, në kushtet e tanishme ku Berisha është kaluar, nuk ka përse të ketë urrejtje për birin e tij politik.

Por inati i Doktorit nuk bie asnjë ditë kur është fjala për Lulin. Nuk gjen rast së nxjerri vrerin e tij të mllefit politik. Po përse ndodh kështu?

Këtu duket se arsyeja është me doktorin. Si mjeshtër i politikës, ai e kupton qartësisht se Lulzim Basha, i ka bërë një dëm edhe më të madh se e mendonte.

Basha ka mbjellur në PD antiberishizmin politik, farë e cila është bërë fidan, e për këtë Berisha e ndjen se nuk ka shumë hapësirë për të lëvizur.

E kur të bëhet pemë, rrezikon që Partia Demokratike të ngrihet edhe më shumë si një forcë politike që të jetojë politikisht si një alternativë politike e mënyrës sesi Sali Berisha e ka drejtuar për 30 vjet.

E në krahasim me Partinë e Lirisë, e cila është një forcë politike që ka lëvizur nga burri te gruaja e më pas te burri prapë, del se dhënia në përdorim që Berisha i ka lejuar Lulit ka qenë gabimi më i madh i jetës së tij.

Ndaj dhe e urren shumë më tepër edhe se Edi Rama…

Advertisement