Aktualitet
“Pse ç’a më di ti mua? Pse më preke me dorë”/ Protesta kundër ndërtimit të HEC-eve në Mirditë shoqërohet me dhunë

Kol Ndoji, 59 vjeç, nga Rrësheni, ka denoncuar ditën e sotme pritën dhe dhunimin që i është bërë nga dy persona.
Në kallëzimin e tij ai deklaron se rreth orës 09.00, “sapo kisha blerë ushqimet tek një lokal te tregu i qytetit të Rrëshenit i cili ndodhet afër lokalit të shtetasit Tonin Topollajt, erdhën dy shtetas, njërin e njoh ka mbiemrin Prenga, emrin nuk ia di, ndërsa tjetrin nuk e njoh. Shtetasi me mbiemrin Prenga është nga fshati Mashtrekor njësia administrative Orosh bashkia Mirditë. Dua të them se më datë 15.04.2025, në fshatin Arrëz gjatë protestës së zhvilluar kundër Heceve të Kompanisë” Shperdhaza” jemi takuar me këtë shtetas i cili i kishte bllokuar rrugën me një foristrade te zeze me fenelina si ato të policisë se shtetasit, unë i kam thënë hapë rrugën dhe i kam vendos dorën në qafë dhe ai me ka thënë se do të dali punë me mua, do të shihemi dhe pastaj ka hap rrugë”.
Ai vijon deklarimin duke thënë se sot ky person i është afruar dhe i ka thënë se përse e ka prekur me dorë.
“A më njeh mua se kush jam unë, a të pata thënë se do të dali punë me mua”, shton Ndoji duke thënë se më pas i janë vërsulur me grushte të dy personat.
“Unë në një moment u jam shkëputur nga duart dhe kam ikur me vrap, por ata më kanë ndjekur me makinë dhe më pas kanë kaluar në këmbë mbi një rrethim të një banese, më kanë dalë para dhe aty ne jemi përlesh me njeri-tjetrin. Ata të dy më kanë godit me gur dhe unë ju jam përgjigjur po me gur dhe në atë moment ky personi me mbiemrin Prenga më ka thënë se “pse, çfarë më di ti mua, unë jam i policisë”, dhe më pas janë larguar”, deklaron 59-vjeçari.

