Connect with us

Bota

Pse disa vende arabe po e ndihmojnë Izraelin kundër Iranit?

Mbrëmjen e së shtunës Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, si hakmarrje për sulmine dyshuar izraelit ndaj ambadasës iraniane në Damask, në fillim të prillit. Teksa raketat dhe dronëte ngadaltë ishin drejtuar drejt Izraelit, aleatët e këtij të fundit ndërhynë për të ndihmuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe u përfshinë në eleminimin e rrezikut që erdhi nga ajri. Edhe Franca mund të jetë përfshirë në patrullimin e zonës, edhe pse mbetet ende e paqartë, nëse francezët neutralizuan ndonjë dronë.

Por ajo çka tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte fakti se forcat ajrore të Jordanisë ndihmuan në këtë situatë. Jordania hapi hapësirën e saj ajrore për avionët izraelitë dhe amerikanë dhe njëkohësisht eleminoi dronët që i hynë dhunshëm në këtë hapësirë.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, banorët atje dëgjuan zhurmat e forta të veprimtarisë së pazakontë ajrore dhe në rrjetet sociale qarkulluan pamjet e mbetejeve të një droni të rrëzuar në kryeqytetin jordanez, në Aman.

“Shtetet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, mund të kenë luajtur edhe një rol indirekt, duke ‘strehuar’ sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe duke vënë në dispozicion zonat për mbikqyrjen dhe furnizimin me karburant të avionëve luftarakë, ndihma këto që ishin jetësore gjatë atyre orëve” – theksoi në raportimin e saj media britanike “The Economist”.

Në botën online analistë të njohur si gazetari, Anshel Pfeffer, nga gazeta izraelite “Haaretz” dhe Mairav Zonszein nga International Crisis Group (Grupi Ndërkombëtar për Krizën) ishin të parët që festuan përfshirjen arabe. Ata thanë se ky bashkëpunim provoi se arabët dhe izraelitët mund të punojnë së bashku dhe se Izraeli nuk u la vetëm në Lindjen e Mesme.

“Sulmet e Iranit bënë bashkë një mbështetje të re ndërkombëtare krah Izraelit, duke përfshirë edhe shtetet arabe që ishin kritike ndaj sulmeve në Gaza, por që mbështetën kundërpërgjigjen ushtarake mbrojtëse izraelite ndaj sulmeve me dronë” – deklaroi gjatë së dielës Julien Barnes-Dacey, drejtore e programit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Këshillin Europian mbi Çështjet e Politikës së Jashtme.

Jordania, për shembull, ka qenë një kritike shumë e rreptë e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, që vijoi edhe gjatë fundjavës. Një në pesë banorë të Jordanisë ka prejardhje palestineze, përfshirë këtu edhe vetë mbretëreshën, ndërsa gjatë javëve të fundit ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të protestave kundër Izraelit.

Megjithatë, Jordania, e cila në të njëjtën kohë ndan edhe kufirin me Izraelin, si dhe është rojtari i xhamisë Al-Aqsa – një vend me shumë domethënie për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë – bashkëpunon rregullisht me autoritetet izraelite, edhe pse në shumicën e rasteve në mënyrë diskrete.

Jordania dhe Arabia Saudite, detyrë të vështirë për ruajtjen e balancave

Autoritetet jordaneze, të cilat gjithashtu i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një aleat të rëndësishëm, duhet të mbajnë në balancë shumë interesa konkurruese, paralelisht me qëndrueshmërinë e saj politike dhe mbrojtjen e vetvetes. Jordania deklaroi menjëherë se duke ndihmuar Izraelin, në fakt po mbronte veten. “Objektet që hynë në hapësirën tonë ajrore u pikasën dhe ndaluan, sepse ishin një kërcënim për njerëzit tanë dhe zonat e popullara” – bëri me dije qeveria e Jordanisë me anë të një deklarate për shtyp. “Disa copëza nga shenjestrat e goditura ranë në territorin e vendit tonë, pa shkaktuar ndonjë dëm të veçantë”.

Emile Hokayem nga International Institute for Strategic Studies (Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike) tha se përfshirja e Jordanisë ishte “për t’i provuar SHBA-së se sa partner i mirë është”.

Arabia Saudite është një tjetër vend që duhet të ruajë balancën mes interesave të saj, aleatëve ndërkombëtare dhe pozicionimin rreth konfliktit në Gaza.

Shteti i kamur i Gjirit ishte shumë pranë normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin para sulmeve të 7 Tetorit, kur Hamas goditi Izraelin, duke shkaktuar vdekjen e 1200 vetëve. Por më pas Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza, ku më shumë se 33 mijë vetë janë vrarë në gjashtë muajt e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi. Nisur nga këto zhvillime, planet e pajtimit mes Arabisë Saudite dhe Izraelit mbetën pezull.

Qeveria saudite ka qenë pro armëpushimit në Gaza dhe ka qenë kritike ndaj ofensivës izraelite. Por burime të brendshme thonë se në vijimësi sauditët kanë qenë të interesuar për të përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin.

Konflikt i tejzgjatur mes Iranit dhe Gjirit Persik

Pavarësisht nëse në fundjavë ndërhyri në mbrojtje ose jo të Izraelit, Arabia Saudite ka arsye të tjera për të qenë e gatshme të rrëzojë raketat iraniane.

Për dekada me radhë, Lindja e Mesme ka qenë e ndarë nga sektet e ndryshme fetare, me disa prej shteteve arabe të Gjirit me shumicë myslimane sunite që janë kundër Iranit, i cili konsiderohet si udhëheqës i islamit shiit. Në thelb, armiqësia fetare është thuajse e ngjashme me konfliktet e mëparshme në Europë, kur dy sektet kryesore të krishtërimit – protestantët dhe katolikët – ishin rivalë që luftonin mes tyre.

Shtetet qendrore të Lindjes së Mesme si Iraku, Siria dhe Libani, popullsitë e të cilave janë një përzierje e myslimanëve shiite dhe sunitë, si dhe nga fe e etni të tjera, kanë ngecur ndërmjet tyre, pasi Irani dhe shtetet e Gjirit janë përpjekur të ushtrojnë secili ndikimin e vet.

Këtu ‘hyjnë në lojë’ ata që njihen si “të deleguarit” e Iranit. Ky grupim përfshin organizata të myslimanëve shiitë që Irani i mbështet financiarisht, ushtarakisht, nga ana logjistike madje dhe ajo shpirtërore, në njëfarë kuptimi. Grupimi rebel “Houthi”, milicia e njohur si Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak si dhe grupi politik dhe ushtarak i Hezbollahut në Liban, janë të gjithë anëtarë të kësaj aleance të financuar nga Irani. Edhe grupi i Hamasit mbështetet nga Irani, por ai është një rast përjashtimor, që përbëhet nga myslimanë sunitë, si shumica e palestinezëve.

Këto grupe lëshuan raketa në drejtim të Izraelit nga Jemeni, Siria dhe Iraku, si pjesë e ofensivës iraniane. Raportimet nga Iraku bëjnë me dije se ushtria amerikane, në bazat e atjeshme, rrëzoi disa prej këtyre raketave.

Në Irak, raportet sugjerojnë që ushtria amerikane me qendër atje rrëzoi disa nga ato raketa. Është ende e paqartë nëse sauditët gjurmuan ndonjë të tillë të lëshuar nga Jemeni. Por ky zbulim ka ndodhur edhe më parë, më konkretisht në fundvitin e kaluar.

“Për aktorët rajonalë, veçanërisht Arabia Saudite dhe Jordania – të cilët thuhet se kanë përgjuar dronët iranianë – argumenti do të jetë që ata po mbrojnë me të drejtë hapësirën e tyre ajrore sovrane” – thotë Masoud Mostajibi, Zëvendës Drejtor i Programeve të Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik, me qendër në SHBA.

“Sidoqoftë, nëse sulmet e së shtunës përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë Izrael-Iran, aktorët rajonalë të perceptuar si mbrojtës të Izraelit, mund ta gjejnë veten të shenjestruar dhe të zvarritur në këtë zjarrvënie rajonale. Duke pasur parasysh atë çka është në lojë, ka të ngjarë që udhëheqësit rajonalë të motivohen të veprojnë midis të dy palëve për ta çuar këtë përplasje drejt fundit “- përfundoi ai./ DW

 

Bota

Zelenskyy: Ukraina po punon për përmirësimin e programit të dronëve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën se vendi i tij po punon për të përmirësuar programin e dronëve, ndërsa vendi po lufton kundër agresionit rus që nisi para më shumë se dy vjetësh.

Deklarata e tij u bë një ditë pasi ai u bëri sërish thirrje aleatëve për të dërguar në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ukraia është përballur me sulme të përditshme me dronë dhe raketa nga Rusia. Sulmet ruse kanë vënë në shënjestër qytete të shumta dhe objekte të infrastrukturës energjetike.

“Jemi ende në pritje të furnizimeve që iu premtuan Ukrainës”, tha zoti Zelenskyy në fjalimin e përditshëm të dielën që zakonisht e publikon në mbrëmje. “Presim dërgesat që mund të ndryshojnë situatën në fushën e betejës në të mirë të Ukrainës”, shtoi ai.

 

 

Presideti Zelenskyy tha se kishte folur me udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratin Hakeem Jeffries dhe falënderoi Kongresin për miratimin e ndihmës ushtarake me vlerë 61 miliardë dollarë për Ukrainën.

“Në bisedën time me zotin Jeffries unë theksova që sistemet ‘Patriot’ janë të nevojshëm dhe ato duhet të sigurohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi presidenti ukrainas.

Zoti Jeffries shkroi në rrjetin social X se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin ukrainas në luftën tuaj të guximshme kundër agresionit rus”.

Ushtria ukrainase, që është shumë më e vogël se ajo ruse, po tërhiqet nga pozicionet e saj në Ukrainën lindore, ndërsa trupat ruse po përparojnë drejt perëndimit, tha të dielën gjeneralkoloneli ukrainas Oleksandr Syrskyi.

Ai tha se trupat e Kievit janë kthyer në pozicione të reja në perëndim të tre fshatrave në frontin lindor ku Rusia ka përqendruar forca të konsiderueshme.

“Situata në front është përkeqësuar”, shkroi gjenerali ukrainas në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram’, duke thënë se zonat “më të vështira” ishin në perëndim të Maryinkas së pushtuar dhe në veriperëndim të Avdiivkas, një qytet i rëndësishëm strategjik i pushtuar nga forcat ruse në muajin shkurt.

Në zonat e frontit lindor të Ukrainës në rajonet Donetsk dhe Kharkiv janë zhvilluar përleshje të ashpra në javët e fundit, ndërsa forcat ruse bëjnë përpjekje të fitojnë përgjatë vijës së frontit prej më shumë se 1000 kilometrash. Mungesat e municioneve dhe personelit kanë penguar gjithnjë e më shumë mbrojtjen e Ukrainës, sipas Institutit për Studimin e Luftës, një organizatë me bazë në Uashington.

Instituti, megjithatë, vlerësoi se pavarësisht përparimeve ruse, nuk ka gjasa që linjat mbrojtëse të Kievit të shemben.

Gjenerali ukrainas Syrskyi shprehu shpresën që sapo Shtetet e Bashkuara të fillojnë furnizimin me armët e premtuara në kuadër të ndihmës ushtarake që javën e kaluar u nënshkrua nga Presidenti Biden, situata do të stabilizohet në fushën e betejës.

Ai tha gjithashtu se brigada të reja ukrainase po zëvendësonin njësitë më të hershme që kishin pësuar humbje në ato zona./ VOA

Continue Reading

Bota

Anëtarë të rinj/ Michel: Ballkani Perëndimor duhet të futet sa më parë në BE

Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga krahu i tij lindor dhe Ballkani Perëndimor, ndryshe do të përballet me një “Perde Hekuri”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili ka folur për ENW teksa blloku feston 20 vjet që nga zgjerimi i madh i vitit 2004, kur 10 vendeve iu garantua anëtarësimi.

“Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim rrezikojmë një “Perde të re Hekuri” dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos nëse kemi një fqinj ku mungojnë prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik. Këto janë interesa të përbashkëta të vendeve kandidate dhe BE duhet të bëjë progres në përshpejtimin e procesit. Jam besimplotë sepse e ndjej, se liderët evropianë, ose shumica e tyre, janë të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Charles Michel.

Nëntë vende po presin t’i bashkohen Bashkimit Evropian, përfshirë Ukrainën e gërryer nga lufta. Por procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kompleks, pa harruar se anëtarësimi i plotë kërkon një aprovim unanim nga shtetet anëtare.

 

 

Hungaria ka kërcënuar tashmë se do të përdorë fuqinë e vetos për të penguar anëtarësimin e Ukrainës, por Michel është besimplotë se kjo nuk do ta ndalë bllokun në shqyrtimin e kandidaturave.

“Për shembull, ne kemi përdorur abstenimin, gjë që i jep mundësinë një vendi që pavarësisht rezervave që mund të ketë ndaj një vendimi, ta bëjë publik opinionin e tij, por pa bllokuar shumicën dërrmuese të shteteve anëtare, që do të donin të bënin progres në fusha të caktuara”, tha Michel.

Më herët, Michal ka deklaruar se BE duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj pas 2030-s. Por këtë javë ai tha se vendet që kanë bërë progres të mjaftueshëm mund të bashkohen me bllokun brenda kësaj dekade.

Continue Reading

Bota

Tragjedi/ Autobusi del nga rruga dhe përfundon në lumë, 23 persona humbin jetën

Të paktën 23 persona humbën jetën kur një autobus ra në një luginë në Peru. Aksidenti ka ndodhur mbrëmë në provincën e Cajamarca, në pjesën veriore të vendit. Një autobus me 35 persona doli nga një rrugë fshati, duke përfunduar në një lumë, sipas raportimeve të mediave peruane.

Ndërsa Prokurorja Olga Bombadilla Teran tha për rrjetin RPP se rreth 15 të mbijetuar u dërguan në spitalet në Cajamarca dhe Celentin me lëndime të rënda. Gjithashtu shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.

Continue Reading

Bota

“Izraeli ka bërë një propozim shumë bujar”, Blinken: Arritja e armëpushimit varet nga vendimi i Hamasit

Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë qëndrimit në Riad të hënën tha se do të angazhohet të bindë udhëheqësit izraelitë të bëjnë më shumë për të lejuar ndihmat humanitare në Gazë.

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të rajonit, Blinken tha se mënyra më e mirë për të zbutur katastrofën humanitare në Gazë do të ishte arritja e një marrëveshjejeje armëpushimi që do të lironte pengjet që mbahen nga Hamasi. Blinken e quajti propozimin e fundit izraelit për armëpushim një propozim “jashtëzakonisht bujar”.

Disa prej temave kryesore që Sekretari amerikan i Shtetit do të diskutojë gjatë qëndrimit në Lindjen e Mesme janë dërgimi i më shumë ndihmave humanitare në Gazë, arritja e një armëpushimi, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Izraelit dhe Arabisë Saudite dhe rindërtimi dhe qeverisja e territoreve palestineze pas luftës.

Sipas Sekretarit Blinken të gjitha këto tema janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, por:

 

 

“Nuk duhet pritur arritjen e një armëpushimi për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë. Presidenti Biden ka këmbëngulur që Izraeli të ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar vuajtjet e civilëve dhe të shtojë sigurinë për punonjësit e organizatave humanitare në Gazë”, tha zoti Blinken në Riad ndërsa merrte pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.

Gjatë këtij takimi, kryeministri i Katarit theksoi nevojën për zgjidhje paqësore për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve rajonale.

“Përshkallëzimi ushtarak së fundmi në rajonin e Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duhet bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve përmes mjeteve paqësore dhe diplomatike”, tha Kryeministri Al Thani.

Ndërsa merrte pjesë në një takim të posaçëm të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Riad, Sekretari Blinken i kërkoi Hamasit të pranojë propozimin e fundit të Izraelit për një armëpushim në Gazë.

“Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht bujar nga ana e Izraelit. Në këtë moment, e vetmja gjë që qëndron mes popullit të Gazës dhe armëpushimit është Hamasi… Shpresoj që ata do të marrin vendimin e duhur”, tha zoti Blinken.

Përgjigja e Hamasit mund të jepet të hënën gjatë takimit që negociatorët e grupit militant palestinez do të mbajnë me ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit në Kajro. Nëse Hamasi nuk e pranon marrëveshjen e armëpushimit, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin më jugor të Gazës, Rafah.

Në Arabinë Saudite, Sekretari Blinken e përsëriti kundërshtimin e qeverisë amerikane për një sulm tokësor në Rafah “në mungesë të një plani izraelit për të siguruar mbrojtjen e civilëve”.

Izraeli këmbëngul që katër batalionet e fundit të paprekura të Hamasit janë strehuar në Rafah, ku janë mbledhur edhe qindra mijëra palestinezë që janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës.

Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Izraeli u hakmor duke nisur një kundërpërgjigje ushtarake që deri më tani, sipas të dhënave të Hamasit të pakonfirmuara nga burime të pavarura, ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë.

Pas Arabisë Saudite, zoti Blinken e vazhdon vizitën edhe në vende të tjera të rajonit, përfshirë Izraelin. Kjo është vizita e shtatë e Sekretarit Blinken në rajon prej tetorit të vitit të kaluar./ VOA

Continue Reading

Bota

U akuzua për përdhunimin e dy grave në shesh xhirimi, vihet në pranga aktori i njohur

Aktori i njohur francez, Gerard Depardiu është vënë në pranga ditën e sotme (29 prill) nga policia.

Lajmi është konfirmua nga avokati i tij, bën me dije CNN.

Ai do të merret në pyetje, pasi akuzohet për përdhunimin e dy grave në shesh xhirime.

Prej disa kohësh aktori akuzohet për sulme seksuale e përdhunime, ndërsa tashmë kemi një arrest.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING