Kosova
Pse Grenell e kritikoi Kurtin? Analistët: Tensioni erdhi nga një deklaratë e kryeministrit të Kosovës
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, i dërguari i Donald Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, sulmon ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në rrjetin “X”, Grenell thekson se Albin Kurti nuk është i besueshëm dhe ka ndërmarrë veprime të njëanshme, që destabilizojnë rajonin.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, u shpreh Richard Grenell.
Me tone të forta, i dërguari i Trump iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi sipas tij, Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër SHBA.
“Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë, për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së, të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, tha Grennell.
Përplasjet e Richard Grenell me Albin Kurtin janë të hershme, që gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara, kur Grenell ishte i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi. Në atë kohë, emisari amerikan deklaronte se marrëveshja mes dy vendeve fqinje ishte e pamundur me Albin Kurtin kryeministër, ndërsa e quante këtë të fundit antiamerikan.
Përplasjet e forta me Grenell sollën dhe rrëzimin e Albin Kurtit nga qeveria, në vitin 2020, pas një mocioni nga kundërshtarët politikë, që sipas tij, erdhi për shkak të pazareve për shkëmbim territorial me Serbinë. Rikthimi i Kurtit në pushtet, në shkurt të 2021-shit, rindezi sërish përplasjet e tij me Grenell, por këtë radhë ky i fundit ishte ish-emisar i SHBA në Ballkan.
Këtë 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do të votojnë për Parlamentin e ri të vendit, dhe si rrjedhojë edhe partinë qeverisëse për 4 vitet e ardhshme, ku Albin Kurti kërkon një tjetër mandat qeverisës, e ndërkohë Richard Grenell është rikthyer në kabinetin e Presidentit Trump, si i dërguar për Misione të Posaçme..