Connect with us

Aktualitet

Pse kishin zgjedhur Tiranën dhe Qerekën? SPAK: Lokacionet pranë aeroportit dhe portit në Durrës

Nga një hetim të nisur në vitin 2023, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar goditi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine. Droga trafikohej në Shqipëri për t’u përpunuar dhe më pas shitej në vendet e Bashkimit Europian. Në kuadër të këtij aksioni, në pranga përfunduan 10 persona, mes tyre 3 shtetas nga Amerika Latine.

Laboratorët e drogës ishin 2, një i vendosur në Qerekë të Krujës, e një tjetër në zonën e Kodrës së Diellit.

SPAK ka zbuluar edhe arsyen se përse këto laboratorë ishin vendosur pikërisht në këtë dy zona dhe se përse ambientet “ndihmëse” i kishin në Tiranë dhe në Durrës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, këto zona ishin zgjedhur pikërisht për shkak se konsiderohen si ‘pika strategjike’ pasi janë pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit.

“Këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare,“-sqaron SPAK në njofti.

Pra përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon planifikimin e kujdesshëm të anëtarëve të grupit në mënyrë që të kishin një distancë sa më të afër me akset kryesore të vendit. Ky dhe shumë detaje të tjera tregojnë se rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar deri në detaje. Vetëm në këtë mënyrë kanë mundur që të punojnë për aq gjatë, pa rënë në sy të organeve ligjzbatuese.

Advertisement