Politike
Pse nuk e takoi Kurtin në stadium? Rama: Nuk më lajmëroi askush për ardhjen e tij
Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për “Opinion” ka treguar se përse nuk është takuar me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, gjatë ndeshjes së Kombëtares Shqiptare të futbollit kundër Republikës Çeke, edhe pse të dy ndodheshin në stadium.
Rama u shpreh se nuk është ai personi që organizon protokollin, ndërsa tregoi se kishte shkuar drejt e tek vendet e rezervuara për të dhe familjarët dhe se nuk ishte lajmëruar nga askush për ardhjen e Kurtit në “Air Albania”.
Ai tregoi se në box-in e veçantë ndodhej jo vetëm Albin Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë që kishin ardhur në mbështetje të kombëtares.
Rama tha se në rastet kur ai vetë shkon në Kosovë i njofton “të gjithë” dhe se nuk ka problem nëse pritet apo nuk pritet nga dikush.
“Unë nuk organizoj protokollin. Kisha 3 vendet që kisha vetë dhe u ula aty. Ndërkohë në box-in e veçantë ishin të tjerë. Nuk më lajmëroi askush për ardhjen e Albin Kurtit. Në box-in e veçantë ishte jo vetëm Kurti, por edhe zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zv. Kryeministrja jonë dhe të tjerë. Kjo nuk është pyetje për mua. Unë kur shkoj në Kosovë i njoftoj të gjithë, kush më pret kush nuk më pret, nuk ka problem.
Raportet me Vuçiç janë të drejtpërdrejta, janë si gjithmonë. Ai shkoi në Kinë se ishte takim i madh që kishin me Kinën. Nuk e di pse diskutojmë sepse unë e di shumë mirë cili është pozita e Serbisë dhe aleancat e tyre.
Presidentin e Serbisë nuk e kam zgjedhur unë dhe nuk e kam vendosur unë në kufi me bjeshkët tona. Paqja nuk bëhet me shokun, por me armikun. Nëse Serbia ishte armiku i deridjeshëm dhe sot është një oponent agresiv i Kosovës, paqja bëhet me ata, jo me Italinë”, u shpreh Rama.