Shkrime
Pse stonojnë zërat në korin pro Veliajt
Nga Enton Abilekaj
Ky i fushatës së personazheve të famshëm në mbështetje të Erion Veliajt mund të jetë rasti tipik për ‘spiropalizimin’ e debatit.
‘Këto ndodhin në gjithë botën, madje bëhen edhe filma’.
I gjithë Hollywood-i doli në mbështetje të Barak Obama-s në 2008. Fjalimi i Robert De Niros në mitingun e Obamës, ndërsa ai konkuronte akoma kundër Hilary Clinton, ishte jo vetëm emblematik, por edhe befasues, për aktorin që njihej si mik dhe mbështetës i Bill Clinton.
Clint Eastwood bëri të pamundurën që Obama mos ta merrte mandatin e dytë. Debati i tij me karrigen e Presidentit, ka shënuar gjithashtu një moment të paharrueshëm për fushatat elektorale.
Ka qindra e mijëra raste kur artistë apo njerëz të njohur janë bërë pjesë e fushatave elektorale. Shqipëria nuk është rasti i parë, por ka një ndryshim të madh me rastet Perëndimore.
Ndryshe nga këtu atje dalin si njerëz të lirë, kur duan ndryshim jo konfirmim të pushtetit, kur kanë një kauzë jo një qokë. Mirë apo gabim ata janë atje në rolin e aktivistit civil që lufton të ndryshojë qeverisjen në shërbim të vendit, jo si mercenari i qeverisë që del kundër intëresit publik në këmbim të një shpërblimi. Daljet e tyre publike e forcojnë raportin e tyre me publikun, ndryshe nga shërbimi me pagesë në Tiranë, ku raporti me publikun i ofrohet pushtetarit për të marrë një copë nga tepsia e korrupsionit.
Sepse, ashtu siç e thotë Andi Bushati ne një postim në Facebook, as pushtetari i korruptuar dhe as këngëtari i korruptuar, nuk jetojnë falë raportit me publikun.
I pari nuk jep llogari, por kërkon të manipulojë votën me shumicë nëpërmjet ndihmës së personazheve të njohur dhe pastaj të blejë më pakicë ato që mbeten. Të dytët të blejnë audiencë me paratë e fituara prej shërbimit, që pastaj ta shesin këtë si influencë për pushtetarin e radhës.
Prandaj kjo marrëdhënie që e fyen publikun, është më pak eficente se blerja e votës së fukarenjve të pashpresë. Publiku e ka humbur besimin te politikanët, e ka parë si janë telendisur “artistët”, që aktivizohen vetëm me para publike dhe kurrë për një kauzë të madhe kombëtare, shoqërore apo edhe personale. Ata që kanë lënë Teatrin të prishet, që lejojnë Bashkinë për 4 vjet të bëjë ahengje falas, të përzgjedhë këngëtarët që marrin audiencë në dëm të konkurencës, nuk mund të jenë të besueshëm, kur ditën e zgjedhjeve kërkojnë ndihmën e publikut, për një gjë që nuk u takon.
Në sytë e publikut janë pengje që kërkojnë favorizimin e agresorit, janë ahengxhinjë e haremit të Sulltanit, ose skllevërit modernë të oborreve të Sheikëve.
Me këtë imazh më shumë e dëmtojnë fushatën e sponsorit politik. Erjon Veliaj, duke u shfaqur krah pengjeve, krijon vetëm idenë e agresorit, e politikanit dallkauk të tranzicionit lindor që investon luksin personal me paranë publike. Me shfaqjet hipokrite të të famshmëve të paguar, ai vetëm sa na kthen mbrapa në kohën kur autobusët me këngëtarë shoqëronin fushatën e liderëve shpëtimtarë, vetëm sa konfirmon që 10 vite në pushtet e kanë bërë të jetë e shkuara dhe slogani i partisë së tij vetëm një përpjekje për të fshehur të vërtetën.