Rajon
Publicisti serb tregon të pathënat e kontrollit të Vuçiçit
Vëzhguesit ndërkombëtarë të misionit të përbashkët të OSBE-së dhe ODIHR-it, ku përfshihen përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, kanë raportuar për një sërë parregullsish në procesin zgjedhor në Serbi. Në ditën e votimit, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vërejtur presion mbi votuesit, fletëvotime të falsifikuara, si dhe keqpërdorime të burimeve administrative.
Publicisti nga Beogradi, Dushan Janjiç, tha se të gjitha institucionet e vendit i janë nënshtruar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe prandaj ai e konsideron të drejtë protestën e mijëra qytetarëve në Beograd, që po kërkojnë zgjedhje të reja në Serbi.
“Zgjedhjet në Serbi ishin krejtësisht të parregullta nëse i krahasojmë me standardet demokratike. Vëzhguesit ndërkombëtarë ishin shumë kritikë, ata thanë se nuk kishin parë zgjedhje të tilla ndonjëherë në një shtet demokratik që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. E për shkak të këtyre parregullsive nuk mund të themi se zgjedhjet ishin të drejta. Gjatë gjithë kohës mediat në Serbi ishin në krahun e Vuçicit dhe partisë së tij. Jo vetëm mediat, por edhe institucionet, policia, prokurorët, po e mbështesin partinë në pushtet. Përveç kësaj, shumë qytetarë jashtë Serbisë votuan në mënyrë të paligjshme duke mbështetur partinë e Aleksander Vuçic. Këto zhvillime natyrisht që kanë nxitur protesta në mesin e qytetarëve dhe partive opozitare”, tha Janjiç, duke shtuar se pas këtyre zgjedhjeve, qeverinë e re të Serbisë e presin përgjegjësi të mëdha, duke nënvizuar këtu çështjen e dialogut me Kosovën si dhe procesin integrues të Serbisë për në BE. Ai shtoi gjithashtu se pavaresisht gjithçkaje, Vuçic e ka të pamundur të ushtrojë kontroll mbi gjithë parlamentin serb.
“Po flitet pak për këtë gjë, por unë konsideroj se pas këtyre zgjedhjeve Aleksander Vuçic është më i dobët. Ai nuk do të arrijë te kontrollojë gjithë parlamentin si në të kaluarën. Megjithatë ai do të vazhdojë të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në Serbi, dhe do të ketë përgjegjësi të plotë për çështjen e dialogut me Kosovën si dhe për procesin integrues të Serbisë për në Bashkimin Evropian, teksa gjithçka është në dorën e tij. Shumë qytetarë patën shpresë se do të kishte ndryshime të rëndësishme politike në Serbi, por ja që nuk ndodhi ashtu. Aleksander Vuçic do të jetë në krye të Serbisë edhe për disa vite të tjera” – deklaroi publicisti.
Për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, përmes një video-mesazhi ka reaguar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, i cili tha se vëzhguesit ndërkombëtar zbuluan disa mangësi, dhe se është e rëndësishme që Serbia të punojë me ta dhe t’i zgjidhë këto çështje.