Kronike
Publikohen FOTOT/ Burri i prokurores mik me avokatin e vrasësit të Egli Progës
Një zhvillim i ri tronditës është bërë publik sot, e cila ka siguruar një foto ekskluzive që tregon një lidhje të dyshimtë midis burrit të prokurores së çështjes Vasjana Postol dhe njërit prej avokatëve mbrojtës të të akuzuarve në rastin e vrasjes së Egli Progës.
Në foton e siguruar, Ervin Xhihani, bashkëshorti i prokurores Vasjana Postol, shihet duke ngrënë drekë me avokatin Budjon Hoxha që po mbron njërin prej bashkëpunëtorëve të vrasësit Denis Meçe, i cili është akuzuar për vrasjen brutale të Egli Progës. Sipas burimeve ekskluzive për JOQ, të dy janë shokë të ngushtë prej shumë vitesh. Kjo foto ka ngritur dyshime të forta për integritetin e procesit gjyqësor dhe pavarësinë e hetimeve.
Koincidencë apo diçka më shumë? Ditën e sotme, prokurorja e çështjes Vasjana Postol zbuti ndjeshëm akuzën ndaj Denis Meçes. Ndërsa policia e kishte referuar ngjarjen si një vrasje me dashje – një akuzë që do të dënohej me 10 deri në 20 vjet burg – Postol e riformuloi veprën penale si “vrasje nga pakujdesia.” Kjo akuzë është shumë më e lehtë dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 5 vjet.
Gjithashtu kërkoi “detyrim paraqitje” për 3 të tjerët me akuzën për moskallëzim krimi; Voltan Shulkun, 40 vjeç, Arian Manellarin 55 vjeç, dhe Leonidha Guçen, 47 vjeç. Voltan Shulku është gjithashtu pronari i lokalit ku ka ndodhur dhunimi i Egli Progës. Pikërisht Budjon Hoxha që shfaqet në foto me burrin e prokurores, është avokati mbrojtës i Voltan Shulkut, pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Ky ndryshim i papritur në akuzë ka shkaktuar zemërim dhe dyshime, duke ngritur pyetje serioze rreth ndikimit të mundshëm që lidhjet personale mund të kenë pasur në vendimin e prokurores. Fotografia e zbuluar sot mund të përforcojë këto dyshime dhe të shtojë presionin ndaj sistemit të drejtësisë për të rishikuar rrethanat që kanë çuar në zbutjen e akuzës./ joq