Connect with us

Kronike

Punonjëse e doganës, kush është 62-vjeçarja që i vendosën tritolin në banesë

Një shpërthim tritoli ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër në banesën e shtetases Frida Sala 62 vjeçe.

Ka qenë ora 3:40 kur eksplozivi shpërtheu në shtëpinë e 62-vjeçares. Nga kjo ngjarje ka vetëm dëme materiale të shkaktuara në derën e shtëpisë, mure dhe dritaret që janë thyer dhe një automjet që ndodhej i parkuar.

Ndërkohë brenda banesës ka qenë e gjithë familja Sala. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për vendosjen e sasisë së tritolit.

Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e autorit të dyshuar i cili vjen me një motorr me skafandër në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes Sala largohet me shpejtësi.

Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikohej autorin deri më tani për shkak të skafandrës që mbante në kokë.

62 vjeçarja Frida Sala e cila punon në doganën e Hanit të Hotit tek peshorja, duke peshuar mallrat që hyjnë e dalin në atë doganë, ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

Shtetasja Frida Sala deklaroi se ishin zgjuar dhe po bëheshin gati për të ngrënë vaktin e syfyrit duke qenë se agjërojnë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

62 vjeçarja del në pension për pak muaj dhe policia për momentin nuk e lidh ngjarjen me punën e saj.

Policia ka marrë në pyetje edhe djalin e 62-vjeçares, shtetasin Dori Sala, i cili po ashtu ka deklaruar se nuk ka konflikte me askend dhe se nuk e di se kush mund të jenë autorët.

Ky i fundit punon në një kompani interneti dhe nuk njihet si një person problematik. Vëllai tjetër ndodhet në Itali dhe punon si shofer kamioni.

Deri më tani për policinë është i paqartë motivi i kësaj ngjarje. E gjithë familja bashkë me komshinjtë në një rrugicë të vogël në lagjen “Tom Kola” në Shkodër janë tronditur nga ky shpërthim i fortë i cili është dëgjuar në gjithë atë zonë.

Advertisement