Connect with us

Aktualitet

‘Punonte për një kafshatë bukë’, flasin fqinjët e Mimozës që humbi jetën

Mimoza Paja shkoi si zakonisht në punë, por nuk u kthye më në shtëpi. Ajo është viktima e pafajshme e atentatit të mbrëmjes së 12 marsit në Tiranë. Plumbat e luftës së bandave kriminale nuk ia kursyen jetën 58-vjeçares, që punonte banakiere në lokalin që u sulmua me armë.

Ajo kishte vetëm 10 ditë që kishte filluar punë në këtë lokal, që ndodhej vetëm pak metra larg banesës, ku jetonte me qira në zonën e Don Boskos. Mimoza Paja ishte nënë e katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djalë. 58-vjeçarja jetonte me të birin dhe mbesën 10-vjeçare, pasi një prej vazajve të saj pas divorcit ishte martuar sërish dhe e mitura jetonte me gjyshen.

10-vjeçarja ndodhej tek lokali, kur breshëria e kallashnikovit u zbraz mbi trupin e gjyshes së saj. Ajo mbeti e lënduar lehtë nga ciflat e xhamave të thyer. Jeta e Mimozës ka kaluar mes një kalvari vuajtjesh. Ajo detyrohej të bënte disa punë për të siguruar të ardhura.

58-vjeçarja ishte divorcuar nga bashkëshorti, por pasi ai u sëmëur u rikthye përsëri që të kujdesej për të. Dy vite më parë ai ndërroi jetë. Fiqnjët e kujtojnë si një grua punëtore dhe fisnike, që jetonte në kushte të vështira.

“Shumë grua e mirë. Djali ishte pa punë. Shumë punëtore.”

“Vajza erdhi edhe tha o teta më kanë vrarë. Ishte çarë nga xhamat. Ishte duke qarë me të madhe. Erdhi ambulanca edhe e mori.”

Familjarët nuk munden ta besojnë atë që ka ndodhur.  “Mallkuar qofshin ato plumba që i zbrazën në trupin tend, qofsh e xhenetit mam.” Ishin këto fjalët e vetme të djalit të Mimozës, Saimirit. Mes dhimbjes dhe lotëve, 58-vjeçares iu dha lamtumira e fundit, pasi jeta iu pre në mes padrejtësisht.

Advertisement