Bota
Putin elozhe Trumpit: Lider inteligjent, iu vodh fitorja në 2020, nëse do rizgjidhej s’do kishte luftë
Në një intervistë në televizionin shtetëror të Rusisë me gazetarin Pavel Zarubin, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me Donald Trump për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
“Rusia nuk ka refuzuar kurrë kontaktet me administratën amerikane. Kam pasur gjithmonë marrëdhënie pragmatike me Trump. Jam dakord me të kur thotë se mund të kishim shmangur luftën në Ukrainë nëse ai nuk do t’i ishte mohuar fitorja në zgjedhje. Jemi të hapur për të bashkëpunuar me Trump dhe për të zhvilluar bisedime për Ukrainën, por Kievi ende mban në fuqi ndalimin për negociatat dhe nuk duket se po nxitojnë ta heqin atë,” tha Putin.
Putin e vlerësoi marrëdhënien e tij me presidentin republikan si të bazuar në pragmatizëm dhe besim. Presidenti rus deklaroi se konflikti në Ukrainë mund të ishte evituar nëse republikani 82-vjeçar do të kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Nëse Trump do të kishte qenë president, ndoshta nuk do të kishim parë krizën që ndodhi në Ukrainë në vitin 2022,” tha Putin, duke nënvizuar bindjen e tij se humbja e Trump ndihmoi në përshkallëzimin e tensioneve globale.
Për më tepër, ai tha se Donald Trump u privua nga fitorja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, pasi sipas tij ato u vodhën.
“Nëse ai do të kishte fituar zgjedhjet, ndoshta nuk do të kishte ndodhur kriza në Ukrainë,” theksoi ai gjatë një interviste për gazetarin rus Pavel Zarubin. Putin e quajti këtë situatë një faktor kyç që ndikoi në përshkallëzimin e krizës ndërkombëtare.
Lideri rus shtoi se mbështetësit e Kievit duhet të ushtrojnë presion ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të revokojë vendimin për ndalimin e negociatave me Moskën.
“Zelensky nuk po nxiton të ndjekë udhëzimet e sponsorëve të tij. Është e qartë që ekzistojnë udhëzime të tilla, dhe ata që paguajnë duhet ta detyrojnë atë të heqë këtë ndalim,” deklaroi presidenti rus në një intervistë për televizionin shtetëror.