Connect with us

Bota

Putin luftë me NATO-n? Zyrtarët amerikanë: Po tenton të trembë vendet…

Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë i janë kundërpërgjigjur Vladimir Putinit pasi udhëheqësi rus tha se heqja e mundshme e kufizimeve nga NATO ndaj Ukrainës për të nisur sulme me rreze të gjatë në Rusi do të nënkuptonte se vendet e NATO-s ishin “në luftë” me Rusinë.

“Kjo do të thotë se vendet e NATO-s – Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane – janë në luftë me Rusinë”, u tha Putin gazetarëve rusë të enjten, duke shtuar “dhe nëse është kështu, atëherë, duke pasur parasysh ndryshimin e thelbit të konfliktit, ne do të marrim vendimet e duhura në përgjigje të kërcënimeve që do të na paraqiten”.

Reagimi i Putin provokoi një përgjigje të fortë në Uashington, ku zyrtarët e akuzuan Putinin për sulme në mënyrë që të trembin vendet e NATO-s që të mos mbështesin Ukrainën.

Senatori Jim Risch, anëtar i komitetit të marrëdhënieve të jashtme të Senatit, i tha Guardian se Ukraina duhet të ketë autorizimin për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë, duke përfshirë bombarduesit aktivë rusë që lëshojnë raketa kundër qyteteve ukrainase.

“Kërcënimet e fundit të Putinit për konfrontimin e drejtpërdrejtë me NATO-n janë thjesht një përpjekje për të detyruar Perëndimin të largohet nga mbështetja e Ukrainës”, tha Risch.

Në vijim, senatori tha se “ai e di se sulmet me rreze të gjatë nga Ukraina do të shkaktonin dëme të konsiderueshme në përpjekjet e tij të luftës. Disa raketa ruse kanë rënë në territorin e NATO-s dhe NATO nuk e ka përshkallëzuar”

“Ukraina duhet të lejohet të mbrohet, pikë”, vazhdoi ai.

“Nëse kjo do të thotë të godasësh një bombardues rus që lëshon raketa kundër civilëve ukrainas nga hapësira ajrore ruse, atëherë Ukraina duhet të jetë në gjendje ta bëjë atë goditje”, shtoi ai.

Duke folur me gazetarët të premten, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se ka të ngjarë të mos ketë njoftime për heqjen e kufizimeve në përdorimin e raketave të furnizuara nga Britania dhe Franca ndaj Ukrainës.

Por në të njëjtën kohë, ai tha se SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s bëjmë llogaritë tona për ato që vendosim t’i ofrojmë Ukrainës.

“Kurrë nuk kam thënë se nuk i marrim seriozisht kërcënimet e zotit Putin”, tha Kirby, duke shtuar “ai fillon të tundë fuqinë bërthamore, për shembull, po, ne e marrim këtë seriozisht. Ne e monitorojmë vazhdimisht atë. Ai padyshim ka rezultuar i aftë për agresion. Ai është padyshim i aftë për përshkallëzim… Por kjo nuk është diçka që nuk e kemi dëgjuar më parë. Pra, ne e kemi parasysh atë”.

Advertisement