Aktualitet
QARKU GJIROKASTËR/ PS fiton Tepelenën, Këlcyrën dhe Përmetin
Në Bashkinë Gjirokastër janë numëruar deri më tani 20 nga 67 kuti në total. Kandidati i Partisë Socialiste Sejdi Golemi udhëheq me 77.2%, ndërsa Dorjan Lani i ‘Bashkë Fitojmë’ vetëm me 22.8%.
Në bashkinë Memaliaj, kandidati i dyshes Berisha-Meta, Albert Malaj ka shpallur fitoren. Ai kryeson me 52.67% të votave ndërsa 47.33% të votave është Gjolek Guci. Ndonëse janë numëruar 23 nga 27 kuti në total, Malaj po feston fitoren. “Kjo arritje është falë punës, djersës të derdhur nga ana juaj. Faleminderit”, tha Malaj.
Në Bashkinë Dropull janë numëruar 21 nga 37 kuti. Dhimitrat Toli shkon drejt fitores i sigurt me 80.79% të votave, ndërkohë që rivali i tij më i afërt është Thanas Maneka i BF me 15.5% të votave. Në Dropull është edhe kandidati i Nisma Thurje, Kosta Garo i cili ka marrë vetëm 3.72% të votave.
Në Bashkinë Përmet janë numëruar deri më tani 12 QV ka 23 gjithsej dhe udhëheq bindshëm Alma Hoxha e PS me 76.81%, ndërsa rivali i saj Edmond Komino është më 23.2%.
Në Bashkinë Tepelenë deri më tani është publikuar rezultati për 18 bashki nga 22 dhe kandidati socialist Tërmet Peçi ka siguruar tashmë fitoren me rreth 83.85% të votave. Rivalët e tij janë shumë larg me respektivisht Baftjar Imeri i BF me 9.66% dhe Sokol Guga i PD me 6.49%.
Në Bashkinë Këlcyrë janë numëruar 16 nga 17 kuti dhe me vetëm një këti mund të themi që PS po shkon drejt fitores së sigurt me kandidatin Klement Ndoni me 49.48%. Rivali Arjan Kasaj i BF me 47.1%. Është shumë e vështirë që një kuti të rrëzojë diferencën. Ndërkohë që në këtë bashki është edhe kandidati i PD Adriatik Spahiu, i cili nuk ka marrë më shumë se 3.4%.
Në Bashkinë Libohovë duket se fitues mund të jetë kandidati i opozitës Adil Xhelili, nën logon e ‘Bashkë Fitojmë’. Ai udhëheq me 54.19% të votave kur janë numëruar 7 nga 9 qendra votimi. Kandidati socialist shkon 45.8%.