Connect with us

Shkrime

Që do të ndodhë një gjë e madhe, do të ndodhë. Eshtë llaf i sigurt!

Nga Mentor Kikia

Nga të gjithë analistët, që janë bërë të tillë pa shkelur një ditë në rrugën e lajmit dhe pa bërë asnjë ditë gazetarin/reporterin, ata që mi sjellin zorrët tek goja, janë ata që bëjnë orakullin:

-Do të ketë zhvillime të mëdha në ditët në vazhdim(dhe këtu në fakt ka gjithmonë zhvillime).

-Së shpejti do të ketë arrestime të bujshme!

-Brenda muajit do të ndodhë një gjë e madhe!

-E ke informacion, apo parashikim? –  ndërhyn moderatori/ja?

-Kam informacion, por kam edhe një parandjenjë. Dhe ti e di që mua më del.

-Që mos të thoni pse nuk ua thashë: Një i madh fare do të bjerë në rrjetë së shpejti.

-Po i madhi fare është kryeministri…- ndërhyn sërish moderatori/ja

-Ju e thatë, unë nuk përmenda emra.

-Po kur, sa shpejt?

-Punë ditësh, maksimumi javësh ose muajsh. Ka ardhur njëri nga Amerika me listë. Eshtë llaf i sigurtë nga brenda…

Dhe shpërndahet haberi i madh gojë më gojë, portal më portal e faqe më faqe në rrjetet sociale…

“Parashikimi i fortë i analistit”; “Ja çfarë do të ndodhë së shpejti”;, “Ja kush është peshku i madh që do të arrestohet së shpejti”, …

Dhe kështu shtyhen mbrëmjet dhe ditët në fshatin tonë, njëra pas tjetrës, duke dëgjuar çfarë ka ndodhur sot, e duke pritur tërë ankth çfarë do të ndodhë brenda pak ditësh, maksimumi javësh ose muajsh….

Advertisement