Connect with us

Shkrime

Që të mos ngatërrojnë kryekomunarin e Kamzës me presidentin amerikan

Nga Aranit Muraçi

Donald Trump ishte ende president në detyrë kur mbështetësit e tij sulmuan Capitol-in. Më 6 janar 2021, në një ngjarje të paprecedentë për historinë e 100 viteve të fundit të ShBA-ve mbështetësit e tij u hodhën në një sulm… por cilët sulmuan?  A nuk ishte Donald Trump po ashtu edhe krye-shefi i atyre që po mbronin Shtëpinë e Bardhë, në ditën kur organet e institucioneve të pavarura po çertifikonin humbjen e tij?

Trump akuzoi në atë kohë drejtësinë dhe institucionet ligjzbatuese për manipulimin e zgjedhjeve. Por veç retorikës dhe mbështetësve të tij të shumtë, asnjë media, asnjë gazetar, asnjë analist, nuk guxoi të thoshte se presidenti në largim kishte të drejtë. Kjo sepse mediat në SHBA janë jo vetëm një institucion që mbrojnë reputacionin e tyre por edhe një institucion i besueshëm (dhe një pushtet i pavarur). Ashtu janë kudo, në fakt, në çdo vend të botës së zhvilluar dhe demokratike.

Mediat në SHBA funksionojnë si një pushtet i katërt, krahas atij juridik që funksionon si një pushtet i pavarur nga politika. Dy pushtetet e tjera janë ai legjislativ, i përbërë nga kongresmenët në SHBA (deputetët në vende të tjera) dhe ai ekzekutiv i udhëhequr nga Presidenti në ShBA (kryeministri në demokracitë parlamentare), që janë edhe pushtete politike.

Ndërsa institucionet e administrimit e të çertifikimit të zgjedhjeve dhe drejtësia në të gjitha shkallët e saj kishin certifikuar humbjen e Trump, cili mund të ishte ai gazetar dhe ajo media që do të merrte guximin dhe do të justifikonte sulmin ndaj institucioneve kushtetuese. Por cili ishte ai gazetar amerikan që shkroi në një fjali ose tha një fjalë të vetme se Trump i fitoi zgjedhjet me ‘argumentin’, sepse ashtu kishte ai dëshirë. Tjetër gjë ishte se çfarë pretendonte Trump dhe gjë tjetër ishte ajo që interpretohej nga institucionet e pavarura.

Presidenti Donald Trump pavarësisht retorikës iu nënshtrua tërësisht humbjes dhe verdiktit të institucioneve. E nisi nga e para, u fut në garë, mori edhe një herë besimin nga e djathta për të kandiduar në një mandat të dytë dhe i fitoi bindshëm zgjedhjet. Asnjë gazetar dhe asnjë media nuk guxoi të thoshte pas kësaj se zgjedhjet ishin të manipuluara, Trump kishte të drejtë kur u sulmua Capitol apo të tjera pretendime të tilla boshe.

Presidenti Donald Trump me të marrë detyrën në nisje të mandatit të dytë përmes institucionit që i dha pushteti i rifituar lëshoi ​​falje gjithëpërfshirëse për thuajse të gjithë të pandehurit e 6 janarit 2021, duke fshirë përgjegjësinë për ata që u përpoqën me dhunë të ndalonin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale 2020. Ishte një e drejtë e tij, ndonëse Departamenti Amerikan i Drejtësisë zhvilloi hetimin më të madh të zhvilluar ndonjëherë pas sulmit që la mbi 140 oficerë policie të plagosur dhe mbi 2.8 milionë dollarë dëme në Kapitol.

Për gazetarët dhe mediat amerikane ajo ishte një ngjarje që duhej të trajtohet nga institucionet. Ishin institucionet të vetmet që duhet të çertifikonin zgjedhjet. Ato vulosën humbjen e tij në 2020, dhe të njëjtat çertifikuan fitoret e tij në 2016 dhe 2024. I njëjti standard u ndoq. Trump përtej emocioneve të momentit për amerikanët nuk është asgjë më shumë dhe as më pak; veçse një kalimtar si të gjithë presidentët e tjerë. Është historia që do ta gjykojë më pas se në çfarë niveli ishte ai krahasuar me të gjithë të tjerët që kanë qeverisur SHBA-në.

Ky është dallimi mes dy botëve, për të gjithë ata që ngatërrojnë me ose pa dashje kryetarin e komunës së Bathores me shefin e Shtëpisë së Bardhë. Ata gazetarë dhe media që i bien ‘borisë së partisë’ dhe thonë se institucionet nuk kanë asnjë farë rëndësie në Shqipëri, që duhet shkrirë SPAK, institucionet e reja të drejtësisë, që thonë se nuk duhet të ketë madje fare institucione të pavarura, përfshirë edhe vetë institucionin e medias, megjithatë, kanë shpresë.

Ata nuk duhen parë si të pashpresë edhe pse institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri i hodhën themelet dhe u ngritën gjatë mandatit të parë të Trump dhe u konsoliduan gjatë mandatit të Biden. Në mandatin e dytë të Trump ato me siguri, sepse demokracia nuk ka tjetër rrugë, do të fitojnë pavarësinë dhe vetbesimin e nevojshëm. Pas drejtësisë, është media që pret mbështetje ndërkombëtare për t’u bërë edhe ajo e pavarur dhe e besueshme, ashtu siç e kërkon interesi publik.

Gazetarët dhe mediat në Tiranë që bëjnë thirrje duke përplasur aq sa ndonjëherë rrezikojnë të thyejnë tavolinat nëpër studio, të paduruar nga pritja prej SHBA-ve që të ndërpresin fondet dhe nga dëshira se Trump do të miratojë shkrirjen e institucioneve të reja të drejtësisë, kanë shpresë për ta bërë ‘ëndrrën realitet’. Ashtu si presidenti amerikan edhe ata duhet të aktivizohen në politikë dhe të mos i ngatërrrojnë më punët e tyre (të ngatërruara) me institucionet e pavarura dhe as me SHBA-të. Madje duhet të nxitojnë.

Gazetarët dhe analistët “e pavarur” duhet të nisin pa u vonuar karrierën politike, meqë jemi në prag të zgjedhjeve. Në zgjedhje le të propozojnë sistemin që duan, pa ose me institucionet që duan dhe kur të fitojnë shumicën, le t’i zhvendosin godinat kushtetuese në Bathore apo atje ku të duan. Sigurisht, nëse duan le t’i shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë e brenda tyre të vendosin njerëzit “e denjë” të partisë. Le t’iu jepen e drejta përmes sistemit që propozojnë, gjithnjë nëse i votojnë, që të shpallen edhe gazetarë e analistë të pavarur brenda selisë së partisë!

SHBA si partneri më i madh strategjik i kombit tonë, ashtu siç ndihmuan në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë që sot kanë fituar sipas sondazheve më të fundit besimin e 76 për qind të publikut, ashtu do t’i ndihmojnë shqiptarët në ngritjen e institucioneve të tjera të pavarura, përfshirë atë të medias.

Advertisement