Kronike
Qëllohet me armë në drejtim të Top Channel, një viktimë (EMRI)
Breshëri kallashnikovi janë regjistruar rreth orës 1:00 pas mesnate, në drejtim të godinës së Top Channel në Mëzez në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar dhe kanë lënë fillimisht të plagosur rojen e këtij institucioni, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ka vdekur Pal Kola, 60 vjeç. Burime bëjnë me dije se një automjet është gjetur nga policia në autostradë duke u djegur, dyshohet e autorëve. Gazetari i NTV.AL mëson se mjeti i përdorur nga autorët ishte tip ‘Range Rover’, me targa të vjedhura. Mjeti u gjet i shkrumbuar në Golem të Kavajës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi. Mjaftoi një prej tyre që të linte të vdekur në vend, 60-vjeçarin Pal Kola, i cili mori një plumb në trup. Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizonit Top Channel.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve”, ka njoftuar policia.
Sulmi është drejtuar tek hyrja kryesore e Top Channel e cila kufizohet me rrugën, por më pak se 200 metra distancë ndodhen studiot ku aktualisht po zhvillohet programi Big Brother Vip që po shkakton dhe shumë protesta.