Politike
Qendrat e emigrantëve në Lezhë/ Meloni: Zgjidhje novatore, leksion për vendet e BE-së
Teksa riaktivizimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët pritet të ndodhë brenda këtij muaji, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në një intervistë për ‘Corriere della Sera’ ka folur edhe për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin. Për migrantët ajo tha se është një fenomen që prek gjithë kontinentin europian.
“Është një fenomen që prek të gjithë kontinentin europian edhe jashtë kufijve të BE-së. Me Starmer ne jemi dakord se duhet të intensifikojmë luftën kundër trafikantëve, të punojmë drejt një bashkëpunimi më të madh midis policive tona, të forcojmë angazhimin për riatdhesimet vullnetare dhe të mos kemi frikë të eksplorojmë gjithashtu zgjidhje novatore, si ajo që Italia ka nisur përmes protokollit me Shqipërinë për të përpunuar kërkesat për azil në territore jo të BE-së, por nën juridiksionin italian dhe europian”, tha Meloni.
Ndërsa për marrëveshjen tha se është zgjidhje shumë novatore, i cili shërben si leksion për Europën dhe më gjerë.
“Ekzekutivi ka bërë zgjedhje të sakta lidhur me çështjen e emigracionit dhe protokolli i nënshkruar me Shqipërinë është një prej tyre. Është një zgjidhje shumë novatore, e cila po shërben si një leksion jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, pasi është e qartë se synon t’i japë një goditje fatale organizatave kriminale që spekulojnë me emigrantët për të majmur fitimet e tyre”, tha Meloni.
Deri më tani qendrat pritëse janë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh.