Kosova
Qesharake ajo e Macron, Stradner ironizon mbështetjen e Francës për Serbinë
Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, pas takimit që presidenti francez, Emmanuel Macron, zhvilloi të hënën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, tha se kjo është mundësia e fundit për presidentin serb që t’i rregullojë gjërat përpara se situata të përshkallëzohen në rajon.
Por ajo kritikoi presidentin francez për deklaratën se Franca do të vazhdojë mbështetjen për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), posaçërisht në një kohë kur Serbia ka ngritur nivelin e bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën, madje në dritën e agresionit rus në Ukrainë, ndërsa lajm pozitiv është kërkesa për llogaridhënie për rastin Banjska.
“Qesharake të dëgjosh që Macroni thotë se Franca është e përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane të Serbisë. Kur, në fakt, Vuçiç nuk e dëshiron anëtarësimin e vendit në BE. Ai do të jetë në ‘rrugën e BE-së’ për para dhe mbijetesë politike, ndërsa bashkëpunon me Kinën dhe Rusinë”, shkroi Stradner në platformën “X”.
Macroni gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës të vihen para drejtësisë. Dhe Stradner vlerësoi porosinë e qartë të presidentit francez.
“Lajmi i vetëm i mirë nga ky takim është se thuhet që Macron i ka kërkuar Vuçiçit që të kërkojë llogari nga njerëzit për sulmin në Banjskë. Le të shohim nëse Vuçiçi do ta realizojë premtimin. S’do të çuditesha nëse Vuçiçi i premtoi Macronit se do ta rregullonte këtë çështje pas zgjedhjeve… vetëm për të blerë më shumë kohë”- ka shkruar analistja amerikane.
“Macron ka një histori të gjatë në marrjen e disa vendimeve të tmerrshme në politikën e jashtme. Ai përdor kartën termin e ‘miqësisë historike’ midis Serbisë dhe Francës në përpjekje për ta bindur Vuçiçin të këndellet. Ky është shansi e fundit i Vuçiçit për të rregulluar gjërat përpara se situata të përshkallëzohen përsëri” – ka potencuar Macron.