Kosova
Qeveria e re e Kosovës me shumë pjata të vogla, ku askush nuk ngopet

“Në Kosovë zyrtarisht filloi loja e ndarjes së përgjegjësisë dhe fajit, Albin Kurtin si i pari që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duhej të formonte qeverinë. Por nuk jemi më në kohën kur fitorja prodhonte fuqi, sepse tani ajo shndërrohet në barrë, koalicioni në mbijetesë, dhe qeveria në një tryezë të gjatë me shumë pjata të vogla. E në fund, askush nuk ngopet” – keshtu shkruan ne editorialin e tij te fundit analisti i njohur Baton Haxhiu.
Sipas tij, ajo që duket si një rrjedhë institucionale normale, është në fakt kulm i tensionit mes krizës së shumicës, fragmentimit të skenës politike dhe kthesës nga arroganca e numrave te kompromisi i detyruar.
“Kjo krizë politike nuk ka vetëm emra dhe llogari – ka edhe boshllëqe kushtetuese. Mungesa e Listës Serbe në Kuvend është një çarje në vetë strukturën e shtetit multietnik. Pa përfaqësuesit serbë, formimi i qeverisë është i cenueshëm nga pikëpamja e balancës kushtetuese. Megjithatë, askush nuk e ka një përgjigje të qartë se si do tejkalohet kjo mungesë. Serbia refuzon pjesëmarrjen, komuniteti ndërkombëtar ka zgjedhur të heshtë, ndërsa Vetëvendosja shpreson që numrat të mjaftojnë për ta legjitimuar veprimin. Por në një demokraci të brishtë, ligjshmëria pa përfshirje është gjithmonë e diskutueshme.
Zgjidhja që duket më afër është një qeveri e përkohshme – një marrëveshje e heshtur për të kaluar zgjedhjet lokale. Kurti synon të ripërtërijë fuqinë lokale të Vetëvendosjes, të rimarrë Prishtinën dhe të konfigurojë një marrëveshje të re qeverisëse në vjeshtë apo dimër, nëse ajo e tanishmja dështon. Koalicioni i përkohshëm do të përfshijë të gjithë ata që kërkojnë “diçka”, por askush nuk do të japë më shumë sesa vetja. Dhe një qeveri që fillon me ekuacion të tillë, e ka jetën politike të programuar në periudha afatshkurtra” – ka theksuar Haxhiu duke shtuar se –
“Në këtë logjikë, rritja e orekseve të minoriteteve është pasojë direkte e mungesës së një partie të dytë shqiptare në koalicion. Kur Vetëvendosja qeveris e vetme me pakicat, këto të fundit e shfrytëzojnë momentin për të kërkuar më shumë, duke i dhënë forcës së parë shqiptare një karakter gjithnjë e më të brishtë në ushtrimin e sovranitetit politik.

