Connect with us

Aktualitet

Qeveria harron sigurinë te porti i ri i Durrësit, ndërhyn NATO: Kthejeni mbrapsht

Porti aktual i Durrësit pas disa vitesh nuk do të ekzistojë më dhe porti tregtar do të spostohet në Porto Romano. Gjithsesi, edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet, projekti i detajuar teknik nuk është përfunduar dhe publikuar. Mësohet se NATO është bërë pengesë për përfundimin e planit.

Mesa duket qeveria dhe ndërtuesi janë më të përqendruar në pjesën tjetër të projektit, ku do të “kërcasë” leku dhe portin e kanë lënë mënjanë, megjithëse ai i Durrësit është porti më i madh në Shqipëri dhe një nga pikat më të rëndësishme doganore dhe strategjike të vendit.

NATO ka bërë me dije se ky port nuk përbush kriteret e tyre dhe nuk ka kapacitetin e duhur për ankorimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim të Forcave të Armatosura. Si pasojë , pas delegimit të kësaj ankese nga ana e NATO-s, projekti teknik i portit pritet të shtyhet sërish.

Bashkë me shtyrjen, pritet të rriten edhe kostot, pasi do të duhet një riprojektim i pjesës më të madhe të tij. Për shtyrjen e parë të afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit, në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 milionë lekë.

Me afatet e reja projekti duhet të ishte dorëzuar në mars të këtij viti, por duket se do të shtyhet për shumë më gjatë. Shkak i kësaj është “harresa” që në projektuesit dhe qeveria i kanë bërë sigurisë së vendit, një nga gjërat elementare për një shtet, që funksionon si duhet.

NATO ka bërë me dije se porti është në kundërshtim me standardet e saj dhe nuk i përmbahet kapaciteteve të parashikuara nga kjo organizatë, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria. “Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor.

Komanda e Forcës Detare, duke u koordinuar me përfaqësuesit amerikanë, të cilët nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar kërkesat specifike, i ka përcjellë Autoritetit Portual Durrës kapacitetet që nevojiten, duke u bazuar në: inventarin aktual të anijeve të Forcës Detare, anijet që kanë vizituar vendin tonë në kuadër të stërvitjeve të vendeve aleate si “Defender Europe 21” dhe mundësinë për akomodimin e të gjitha anijeve të tipit ‘destroyer’”, shkruhet në raport.

Kështu, paraqitet nevoja për rishikimin e kontratës fillestare dhe parashikohet një rritje prej rreth 20% të vlerës së saj. Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romane për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit që e shndërron atë në port turistik, një nismë që ka hasur debate për faktin e formulës së financimit dhe sipërfaqes së lartë që do të jepet për ndërtime “real estate”.

Advertisement