Kosova
Qeveria Kurti pa asnjë njohje/ Kryedeputetja ia kërkon “Google”
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Twitter”, i ka bërë thirrje gjigantit amerikan të teknologjisë “Google” që sa më shpejt të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.
Edhe pse pavarësia e Kosovës është njohur nga pjesa më e madhe e botës që prej vitit 2008, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, kompania amerikane “Google” ende nuk e njeh Kosovën në platformat e saj “Play Store”, “YouTube” dhe “Gmail”.
“Njohja e Kosovës nga Google është vonuar prej kohësh. Google, njihe Kosovën”, ka shkruar kryedeputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shpërndarë njëherësh edhe ftesën për nënshkrimin e një peticioni të nisur në rrjetet sociale pikërisht për këtë arsye.
Vlen të theksohet se Qeveria e Kosovës nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare qëkurse Albin Kurti është kryeministër dhe Donika Gervalla, kryediplomate, ndërsa Izraeli mbetet vendi i fundit i cili e ka njohur shtetin më të ri në Evropë (2020), kur Avdullah Hoti ishte kryeministër
Në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 117 njohje ndërkombëtare, megjithëse asnjëra prej tyre nuk ka ardhur gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje në krye të shtetit, ndërsa fushata agresive kundërlobuese e Serbisë vetëm sa është intensifikuar.