Aktualitet
Qeveria miraton vendimin/ Ministria e Brendshme nuk do të ketë më tendera
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që heq Agjencinë Shtetërore të Blerjeve të përqendruara nga Ministria e Brendshme. Pra blerjet nuk do të kryhen më nga kjo agjenci që varej nga Ministria e Brendshme, por është krijuar një shoqëri aksionare “Operatori i Blerjeve të përqendruara”, me kapital 100% shtetëror.
Sipas këtij vendimi, nga sot Ministria e Brendshme nuk do të bëjë më tendera.
Në VKM-në thuhet se Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, SH. A. për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë.
Bëhet fjalë për një propozim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Financave dhe Ekonomikë, për krijimin e kësaj shoqërie aksionare, me kapital 100% shtetërore, me emërtimin Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OPB) për ofrimin e shërbimeve të prokurimeve për autoritetet/ entet kontraktore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.
Sipas këtij vendimi, autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për ekonominë.
VKM përcakton se kapitali fillestar i regjistruar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20.000.000 lekë dhe përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria përgjegjëse për ekonominë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit./balkanweb