Connect with us

Bota

Qytetarët iranian të zhgënjyer nga qëndrimi i Trump: Lamtumirë gjërave për të cilat punova shumë për t’i fituar

Shumë iranianë kanë reaguar me frikë dhe zhgënjim ndaj urdhrit të Donald Trump për të “evakuuar menjëherë Teheranin”. Pothuajse 10 milionë banorë të kryeqytetit tani janë lënë të vendosin nëse do të strehohen në shtëpitë e tyre duke u përgatitur për atë që mund të ndodhë më pas apo do të përpiqen t’i bashkohen trafikut të rënduar që po largohet nga kryeqyteti i vendit.

Presidenti Trump i bëri komentet e tij vetëm pak çaste përpara se të ndërpriste udhëtimin e tij në G7 në Kanada, duke i lënë shumë njerëz të pyesin veten nëse kjo mund të nënkuptojë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit. Shumë nga ata që vendosin të largohen nga Teherani po postojnë imazhe të shtëpive të tyre në internet, një trend prekës në mediat sociale në gjuhën persiane për ata që largohen nga qyteti i tyre.

Gazetarët e BBC-së aktualisht nuk mund të raportojnë në Iran për shkak të kufizimeve nga qeveria iraniane. Megjithatë, BBC Persian dhe korrespondentët e tjerë të BBC-së kanë marrë mesazhe nga njerëzit e prekur. Ata gjithashtu kanë kryer intervista dhe kanë monitoruar mediat sociale për të mbledhur historitë e njerëzve. Shumë prej tyre kanë frikë se të folurit me median mund t’i vërë në rrezik brenda Iranit, kështu që emrat e vërtetë nuk janë përdorur.

Disa iranianë e kishin marrë vendimin për tu larguar shumë kohë përpara se Izraeli të lëshonte urdhrin e parë të evakuimit për pjesë të Teheranit të hënën. Një banor, Arash, u nis nga Teherani rreth orës 08:45 të hënën, duke kaluar me makinë nëpër qytetin Qazvin, në Iranin veriperëndimor. Një udhëtim që zakonisht zgjaste një orë e gjysmë, i mori gati pesë orë.

“Shumë njerëz, veçanërisht ata që jetojnë jashtë vendit, po përpiqen të largohen nga vendi”, tha ai.

Shumë iranianë të tjerë që jetojnë në Teheran kanë vendosur të largohen që nga e hëna, duke përballuar bllokimet e trafikut deri në 14 orë dhe radhët e karburantit për t’u larguar të pasigurt nëse shtëpitë e tyre do të jenë ende në këmbë kur të kthehen. Pritet që edhe më shumë njerëz do të përpiqen të bëjnë udhëtimin e vështirë larg Teheranit pas komenteve të Trump.

Duke postuar në rrjetet sociale, një banor shkroi: “Mblodha suvenire nga të dashurit dhe gjëra të nevojshme, ujita bimët dhe nisa rrugën. Të largohesh nga shtëpia është jashtëzakonisht e vështirë kur nuk e di nëse do të kthehesh ndonjëherë.”

Një përdorues postoi një fotografi të një hapësire pune, me një kompjuter dhe kufje, dhe shkroi: “I thashë lamtumirë gjërave për të cilat punova kaq shumë për t’i fituar… Shpresoj se do të jenë ende këtu kur të kthehem.”

Një tjetër shtoi: “Thashë lamtumirë në heshtje, duke shpresuar të kthehem një ditë në strehën time të bukur dhe të sigurt.”

Të tjerë në qytetin më të madh të Iranit mendojnë se urdhrat e evakuimit janë thjesht të pamundur për t’u ndjekur. Narges ka vendosur të qëndrojë në Teheran, pavarësisht se po frikësohet gjithnjë e më shumë. Që kur Trump u bëri thirrje njerëzve të largohen mbrëmë, duket se shumë të tjerë po ikin.

Ajo thotë se rrugët janë të mbingarkuara dhe trafiku është një makth. Narges nuk sheh asnjë kuptim në përpjekjen për tu larguar dhe për të mbetur e bllokuar në rrugë. Sulmet e Izraelit në Teheran ndaj transmetuesit shtetëror të Iranit të hënën shërbyen si një kujtesë për rrezikun që ajo po merr. Ajo jeton pranë selisë qendrore.

“Ishte tmerruese dhe kaq afër”, tha ajo.

Disa banorë kanë vendosur të qëndrojnë në vend për shkak të prindërve të moshuar, fëmijëve të vegjël, kafshëve shtëpiake, nevojave mjekësore ose thjesht mungesës së opsioneve.

Advertisement