Kosova
Ra në kontakt me energjinë elektrike, 21-vjeçari shqiptar nga Kosova humb jetën në vendin e punës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Itali, në qytetin Villadossola. Një punëtor 21-vjeçar me origjinë nga Kosova ka gjetur vdekjen në vendin ku punonte, në provincën Verbano-Cusio-Ossola.
Viktima i identifikuar si Pashtrik Krasniqi, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa ndodhej në një platformë pune në lartësi prej gjashtë metrash, duke çmontuar skelat pas përfundimit të punimeve të rinovimit në një ndërtesë.
I riu raportohet se ka prekur aksidentalisht me pulpën e këmbës një kabllo elektrike, e cila ka rezultuar fatale për të, pasi ka pësuar goditje të menjëhershme nga tensioni i lartë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa rasti ka tronditur komunitetin lokal dhe më gjerë.

