Kronike
Ra nga skela në vendin e punës, humb jetën tragjikisht shqiptari (DETAJET)
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali pasditen e sotme, ku një 61-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi ka rënë nga skela ku po punonte.
Punëtori shqiptar, teksa po punonte në katin e katërt të një skele, u rrëzua nga një lartësi rreth 8-10 metra, dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Kryebashkiaku Giancarlo Canepa, i cili mbërriti menjëherë në vendin e aksidentit, shprehu pikëllim për ngjarjen.
“Një tragjedi, vajtojmë një tjetër vdekje të papritur dhe një tjetër familje të rrënuar. Në këto raste nuk ka fjalë, tani hetimet do të bëjnë punën e tyre për të konstatuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes”, tha ai, shkruajnë mediat italiane.
Dëshmitarja e vetme , një grua që punon në një supermarket pranë godinës, iu drejtua klinikës së Infermierisë Mjekësore aty pranë për të kërkuar ndihmë të menjëhershme, por fatkeqësisht nuk mundej të bëhej gjë.