Kosova
Radoiçiç po riorganizohet/ Albin Kurti alarmon…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Milan Radoiçiç, i cili ka qene në krye të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.
Kreu i ekzekutivit kosovar, nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka thënë se më 10 nëntor, lideri i grupeve ilegale serbe në Kosovë është takuar me 40 politikanë serbë, ku sipas tij, nga ata është kërkuar mobilizim për të votuar Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet parlamentare që janë planifikuar të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.
Gjatë këtij takimi, sipas kryeministrit Kurti, përveç deputetëve të Listës Srpska, kanë marrë pjesë edhe kryetari i këtij subjekti politik, Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç, Dalibor Jevtiç, dhe Svetllana Milladinov, zëvendëse e kreut të propagandës serbe, Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.
Kurti ka kërkuar nga Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe nga Bashkimi Europian, të dalin me një raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit kundër Kosovës dhe krimin e terrorizmit fundjavën e 24 shtatorit, por edhe të dënohet riorganizimi i grupit paramilitar të Radoiçiçit.
“Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Kosovës me bazat operuese të Forcave të Armatosura përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën” – ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti.
Shefi i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë, sepse sipas tij, shteti rus synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit irredentist të të ashtuquajturës “Botë Serbe”.
“Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve në veri” – ka theksuar kryeministri.
Në kohën kur përpjekjet e diplomatëve perëndimorë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë intensifikuar, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar një paralajmërim që mund të tingëllojë si një ogur i zi për të ardhmen.
Megjithatë, paralelisht me përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për arritjen e një marreveshjeje paqeje përmes kompromisit të negociuar, po vazhdojnë edhe përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet Serbisë të zgjerojë fushëveprimin e ta shtrijë ndikimin në rajon, posaçërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.