Connect with us

Kosova

Radojiçiç mund të vritet nga Vuçiç/ Deklarata e fortë e politikanit serb

Politikani serb, Boban Bogdanoviç duke folur për aktivizmin e tij si opozitar i regjimit serb dhe çfarë mund të pritet nga ky regjim tha se Milan Radojiçiç, personi pergjegjes per sulmin terrorist ne Banjske te Zvecanit, mund të vritet nga Aleksandër Vuçiç pasi ai është dëshmitar i papërshtatshëm.

Një mbretëri kriminale, e cilësoi Bogdanoviç aktivitetin e Radojiçiçit këto 10 vitet e fundit, duke theksuar se ai është dëshmitar kyç për pjesëmarrjen e presidentit serb në aktivitete kriminale, përfshirë këtu sulmin në Banjskë.

“Është fyerje e inteligjencës për secilin qytetar në Serbi dhe në Republikën e Kosovës kur Vuçiç thotë se nuk ka qenë në dijeni se çfarë Radojiçiç ka bërë në veriun e Kosovës. Kemi edhe një situatë skandaloze, meqë Milan Radojçiç lirshëm shëtit në Beograd dhe në Novi Sad, pasi që është liruar 48 orë pas arrestimit me një obligim, që sërish fyen inteligjencën e secilit qytetar normal në Ballkanin Perëndimor, e kjo është që nuk mund të shkojë në territorin e Republikës së Kosovës. Unë jam i sigurt që Radjoçiçit mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi komunikacioni, apo diçka tjetër që do t’ia lehtësojë drastikisht Presidentit të Serbisë që ta heqë qafe njeriun aktualisht më të rrezikshëm për regjimin e tij. Në këtë mënyrë, ai do të ruante aktivitetin e tij kriminal dhe politikën e tij të kaosit që e ka zhvilluar në 10 vitet e fundit në territorin e Republikës së Kosovës” – deklaroi Bogdanoviç.

Sipas tij, Milan Radojçiç është dëshmitar i rrezikshëm, dhe si i tillë ai mund të jetë kërcënim serioz për regjimin e Aleksandër Vuçiç dhe personalisht për të.

“Ajo që dua të them, është se unë i kam propozuar komunitetit europian dhe atij ndërkombëtar që të themelohet një gjykatë speciale, e cila do  arrestonte Milan Radojçiçin dhe do ta dërgonte para drejtësisë ndërkombëtare për ta gjykuar në formë të drejtë, në mënyrë që te fitonim pikturën e plotë të asaj që ka ndodhur në veri të Kosovës. Shpresoj që kjo do të ndodhë. Jam i sigurt se Serbia nuk do ta ekstradojë Radoicicin në Kosovë, pa marrë parasysh se këtë ia kërkon komuniteti ndërkombëtar,” – deklaroi Bogdanoviç.

Advertisement