Connect with us

Politike

Rama – Balluku, ligji është mur për mua, perde për ta!

Nga Arian Galdini
Ligji e zbulon fytyrën e një qeverie vetëm kur prek rrethin e saj më të fortë.
Mbi qytetarin e zakonshëm shteti di gjithmonë të duket i prerë, afati vlen, vula bie, gjoba mbërrin, procedura nuk përkulet.
Sprova fillon diku tjetër, atje ku drejtësia afrohet te njeriu i pushtetit dhe pyet nëse e njëjta masë zbret edhe mbi të.
Pikërisht në atë çast mbaron dekori institucional. Del karakteri.
Rasti Balluku duhet lexuar në atë lartësi.
Jo si episod i një emri.
Jo si dosje për ta copëtuar në debat televiziv.
Jo si krizë që shuhet me ndërrim figure.
Në provë këtu është vetë kuptimi që pushteti i Edi Ramës i jep republikës, barazisë para ligjit dhe kufirit që duhet t’i vihet qeverisjes.
Çështja më e rëndë nuk qëndron vetëm te përgjegjësia e mundshme e një figure të lartë, sepse këtë duhet ta thotë drejtësia dhe gjykata.
Çështja më zbuluese është reagimi i pushtetit sapo ligji iu afrua qendrës së vet.
Pikërisht aty u pa se kjo qeverisje nuk e mendon normën si masë mbi veten, por si hapësirë që duhet administruar.
Pikërisht aty u pa se instinkti i parë nuk ishte nënshtrimi ndaj standardit, por vetëmbrojtja e mekanizmit.
Përpara republikës, u vendos oborri.
Në një republikë të shëndetshme, qeveria largohet nga rruga e ligjit kur drejtësia lëviz drejt majës së pushtetit.
Nuk e përdor shumicën si mburojë.
Nuk e përdor procedurën si bunker.
Nuk sillet si avokat i njerëzve të vet.
Lë standardin të ecë, sepse e di se besueshmëria e republikës vlen më shumë se komoditeti i një figure, sado e rëndësishme të jetë ajo brenda oborrit qeverisës.
Qeverisja e Edi Ramës bëri të kundërtën.
Ajo tregoi se e pranon drejtësinë vetëm deri në pikën ku nuk i prishet arkitektura.
Lëviz figurën, por ruan qendrën.
Jep shenjë reagimi, por nuk lejon që reagimi të bëhet normë për zemrën e pushtetit.
Kjo është arsyeja pse rasti Balluku është më i madh se Balluku.
Nuk flet më vetëm për një individ.
Flet për ligjin e pashkruar të regjimit.
Fjala regjim këtu nuk është teprim.
Është emri i saktë i një rendi që kërkon të mbetet mbi të njëjtën masë që ua imponon të tjerëve.
Regjimi përcaktohet nga kjo nyjë, nga mënyra si mbron veten prej kufirit që u kërkon qytetarëve të respektojnë.
Atje ku pushteti i jep vetes të drejtën të vendosë sa larg lejohet të hyjë ligji në trupin e vet, republika është lënduar në themel. Atje nuk kemi më sundim të ligjit.
Kemi privilegj të organizuar si rend.
Nga pikëpamja juridike, kjo prek vetë boshtin e shtetit të së drejtës.
Republika nuk është vetëm zgjedhje, shumicë dhe rotacion.
Republika është kufi.
Është ai kufi që i thotë pushtetit, këtej fillon masa që nuk e cakton dot vetë.
Nëse ai kufi lëviz sipas peshës së emrit, sipas afërsisë me kryeministrin, sipas interesit të shumicës, atëherë nuk kemi më ligj mbi pushtetin.
Kemi pushtet që negocion me ligjin.
Pushteti që negocion me ligjin nuk është i fortë.
Është i zhveshur.
Mund të mbajë gjithçka që duket.
Nuk mban dot më legjitimitetin moral të një rendi kushtetues.
Dhe ky është dënimi më i rëndë politik ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Akuza më e madhe nuk është se po mbrojnë një figurë të lartë.
Ajo është vetëm faqja e sipërme e problemit.
Akuza e vërtetë është se po mbrojnë të drejtën e pushtetit për të përcaktuar vetë thellësinë me të cilën ligji lejohet të hyjë brenda vetes.
Pamja e këtij deformimi nuk duhet kërkuar vetëm në sallat e mëdha, te fjalët e mëdha, te procedurat e mëdha.
Ajo duket edhe në skenën e vogël ku jeton qytetari i zakonshëm.
Një njeri hyn në sportel me dosje në dorë, me një dokument të mangët, me afat mbi krye.
Për të, shteti është i shpejtë, i prerë, i pakthyeshëm. Nuk ka kujdes të tepërt.
Nuk ka kohë shtesë.
Nuk ka gjuhë mbrojtëse.
Pastaj ai ngre sytë lart.
Sapo hija e drejtësisë bie mbi pushtetin, i njëjti shtet bëhet i kujdesshëm, i ngadalshëm, i mbështjellë, i durueshëm, i arsyetuar.
Qytetari e kupton menjëherë formulën e vërtetë të rendit në të cilin jeton, ligji është mur për mua, perde për ta.
Sepse dëmi i një regjimi të tillë nuk mbaron te padrejtësia e rastit.
Zbret poshtë dhe hyn në karakterin e shoqërisë.
Njeriu mësohet të mos habitet.
Mësohet ta quajë të zakonshme atë që duhej ta trondiste.
Mësohet ta quajë realizëm atë që në të vërtetë është dorëzim moral.
Kështu prishet antropologjia publike e një vendi, jo vetëm nga varfëria, jo vetëm nga korrupsioni, jo vetëm nga frika, por nga përsëritja e pabarazisë derisa ajo të mos duket më si turp.
Regjimet nuk ngrihen vetëm mbi frikë. Ngrihen mbi mpirje.
Mpirja është instrument politik po aq sa propaganda, kontrolli dhe klientelizmi.
Njeriu i lodhur kërkon të mbijetojë, jo të gjykojë.
Qytetari që e ka ulur pritshmërinë morale nuk pret më barazi të vërtetë, pret vetëm të mos shtypet më keq.
Shoqëria që mësohet me dy masa pushon së kërkuari republikë, mjaftohet me menaxhim. Pikërisht këtu qëndron fuqia e errët e qeverisjes së Edi Ramës.
Ajo nuk prodhon vetëm skandale.
Prodhon ulje të kërkesës morale të qytetarit. Nuk prodhon vetëm padrejtësi.
Prodhon përshtatje me padrejtësinë.
Nga pikëpamja sociologjike, kemi të bëjmë me formimin e një kulture pushteti ku qendra duhet të mbetet e mbrojtur me çdo kusht. Emrat mund të lëvizin.
Postet mund të ndërrohen.
Gjuha mund të ndreqet.
Pamja mund të zbutet.
Por mekanizmi nuk duhet prekur.
Kjo është formula e kalbëzimit institucional shqiptar nën qeverisjen Rama, pranohen korrigjimet e dukshme, refuzohet kufiri i vërtetë.
Pranohet sakrifica e figurës, refuzohet dënimi i mekanizmit.
Pranohet lajmi, refuzohet precedenti.
Fjala që e shpjegon më saktë këtë kulturë nuk është shtet.
Është oborr.
Oborri është vendi ku afërsia vlen më shumë se masa, ku besnikëria peshon më shumë se standardi, ku qendra ruan veten duke e quajtur këtë ruajtje mençuri, ekuilibër, stabilitet, përgjegjësi.
Oborri është forma morale e regjimit.
Dhe qeverisja e Edi Ramës, në këtë rast, nuk doli si rend kushtetues që respekton kufirin.
Doli si oborr që druhet nga kufiri sapo ky afrohet te të vetët.
Kjo e shpie çështjen drejt teorisë së lidershipit.
Udhëheqësi i vërtetë nuk matet nga aftësia për të mbrojtur njerëzit e vet prej ligjit.
Kjo është logjikë oborri, jo logjikë shteti.
Autoriteti moral matet aty ku pushteti pranon se standardi vlen edhe kundër rrethit të vet.
Matet aty ku parimi peshon më shumë se rrethi.
Matet aty ku kufiri nuk bëhet i lëvizshëm sapo prek njeriun e afërt të qeverisjes.
Edi Rama dështon pikërisht këtu.
Ai nuk del nga kjo provë si figurë e forcës, por si figurë e një pushteti të varur nga kontrolli.
Dhe varësia nga kontrolli është forma më elegante e dobësisë në pushtet.
Kundërshtimi ndaj Ramës dhe qeverisë së tij duhet të qëndrojë te kjo masë.
Ligji nuk është dekor, as alibi, as vegël për të vegjlit.
Ligji është kufi mbi pushtetin, ose nuk është më ligj.
Kjo është arsyeja pse rasti Balluku nuk duhet parë si dosje e radhës, por si provë e një modeli të tërë qeverisjeje.
Modeli Rama nuk është thjesht qeverisje e lodhur, arrogante ose e korruptuar.
Është diçka më e rëndë, është qeverisje që kërkon të ruajë privilegjin për të qenë mbi masën që ua kërkon të tjerëve.
Aty del në dritë thelbi antirepublikan i këtij pushteti.
Aty del se për këtë qeveri ligji duhet të jetë i detyrueshëm për shoqërinë, por i menaxhueshëm për qeverinë.
Aty del se drejtësia duhet të jetë sistem për qytetarin, por procedurë për pushtetin.
Pastaj mbetet vetëm emri.
Advertisement