Connect with us

Politike

Rama denoncon vendimin gjykatësit për kthimin në punë të drejtorit të pushuar: Një birbo pa din e pa iman

Kryeministri Edi Rama ka denoncuar publikisht një tjetër gjyqtar, Marko Boshku, i cili sipas tij, ka dhënë vendim për kthimin në detyrë një drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, i cili ishte pushuar nga detyra pasi ishte kapur duke ndërtuar pa leje në Ksamil dhe për mashtrim me dokumentacionet e legalizimit.

“Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj, të cilët duhet të mbajnë lart flamurin e Drejtësisë së Re me pavarësinë, profesionalizmin e integritetin e tyre.

Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori!
Rasti është i ububushëm!
Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore – pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit – një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën”, shkruan Rama.
Rama vijon më tej me rastin, duke thënë se “fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim. Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës”.
“Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit!
Çfarë të thuash!!!
Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë e mbyll reagimin me një mesazh.
“Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.
Mesazhi im është ky:
Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik”, shkruan ai.
Advertisement