Connect with us

Aktualitet

Rama dhe Berisha “përballen” në Shkodër

Shkodra, përveçse kryeqendra e Veriut të vendit dhe e përmbytjeve për shkak të motit të keq, është kthyer dhe në vendin e përballjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha. I pari që e njoftoi vizitën në vendin e gdhirë nën ujë ishte Berisha. Në orën 09:28, zyra e shtypit të Partisë Demokratike njoftoi se kryedemokrati ishte nisur drejt Shkodrës.

Ndërkohë që i njëjti informacion mëson Dosja.al iu është dërguar reporterëve lokalë edhe në Shkodër, ku është organizuar një vizitë e kryeministrit Edi Rama. Nuk dihet se cilat zona do të zgjedhin të dy liderët apo nëse transmetimet në platformat e secilit do të jenë në të njëjtën kohë. Mbetet për tu parë panorama që do të përcjellin Berisha e Rama nga Shkodra që sigurisht nuk pritet të jetë e njëjtë. Por padyshim që përmbytjet e 24 orëve të fundit janë edhe pika e nxehtë që nuk do të mund ti shmangen. Tërthorazi, kryeministri deklaroi se prurjet më të mëdha nuk janë hidrike por shpifje në kanalet e komunikimit. Ndërsa Berisha njofton se do të shikojë nga afër zonat e përmbytura.

Aktualisht, vendi është përfshirë nga reshja të dendura shiu, ku situata më problematike është paraqitur në qarkun e Shkodrës, ku mbi 400 banesa janë nën ujë, ndërsa mësimi është pezulluar në 16 shkolla. Moti i keq ka shkaktuar 2 viktima, ku babë e bir kanë humbur jetën pasi u bllokuan në makinë pas vërshimit të ujit në përroin e fshatit Bogë.

Advertisement