Connect with us

Politike

Rama dhe Berisha përplasje për drejtimin e Bashkisë/ Akuzat për kërcënim ndaj Goxhajt

Një pjesë e mirë e retorikës së fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit është fokusuar tek Bashkia e Tiranës, dhe mungesa e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili tashmë është arrestuar me urdhër të SPAK. Mëngjesin e sotëm, gjatë rubrikës “Sy m’sy”, Rama i pyetur nga qytetarët sqaroi se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në Bashki, duke shtuar se institucionin nuk e drejton më që prej vitit 2011.

“Unë punët në bashki i kam mbyllur në 2011-ën, e dashur Rozeta nuk jam kryetar. Unë nuk lë mënjanë asgjë. Të gjitha këto janë pjesë e së njëjtës gjë. Do vazhdoj të flas për bufin e kënetës deri më 9 maj që është edhe dita e Evropës, finishi i kësaj fushate elektorale. Flas, i bie pragut që të dëgjojë dera”- i përgjigjet Rama.

Pas sqarimit që bëri Rama, një përgjigje erdhi nga kryedemokrati Sali Berisha. Gjatë një konference për shtyp, Berisha pretendon se Sara Goxhaj u kërcënua nga kryeministri për të lënë postin që ia delegoi Veliaj nga ambientet e paraburgimit të Durrësit. Më pas, shtoi se të gjitha postimet që ka bërë në rrjetet e tij sociale Veliaj, në fakt janë të shkruara nga vetë Rama.

“Lidhur me pjesën e parë të pyetjes, se kush qeveris bashkinë e Tiranës, kjo është e faktuar. Është një zonjë që quhet Anuela Ristani, e cila u shkarkua nga kryetari në qeli i detyrës, se duhet të pranojmë se pavarësisht se është në qeli, ai është kryetar. Dhe u shkarkua, u emërua një zonjë tjetër, e cila u thirr dhe u kërcënua nga Edi Rama në mënyrë më pak dinjitoze. Jo vetëm u kërcënua ajo zonjë, por ajo u dëbua nga puna sepse Erion Veliaj e emëroi atë nënkryetare bashkie dhe i delegoi firmën si një njeriu që i besonte të kryente veprimet që duhej të kryente në vend të kryetarit. Pra, këto akte janë publike, nuk janë të fshehta. Është Edi Rama ai që ka ndërhyrë në mënyrë brutale në shkarkimet dhe emërimet në bashkinë e Tiranës. Por, meqë jemi këtu dhe ligji e ndalon në mënyrë kategorike çdo akt dhe veprim të pushtetit qendror mbi pushtetin vendor. Ato, thotë ligji dhe Gjykata Kushtetuese, mund të bëhen vetëm nëpërmjet padive në gjykata. Kryeministri, nëse ka një aprovim, nëse konstaton se qeveria vendore bëri një akt të paligjshëm, ai mund t’i adresohet gjykatës dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim ekzekutiv ndaj tij. Këto janë shumë të prera. T’u bëj një pyetje unë. Si u duket ju, marrin të burgosurin, e ndryjnë aty dhe pastaj shkojnë e publikojnë statusë në emër të tij. Dhe ato statuse, sipas burimeve që duhen hetuar, janë të shkruara nga dora e Edi Ramës,”-tha Berisha në deklaratën e tij.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal. Pas arrestimit të tij, si kryetare e komanduar, u caktua nënkryetarja Anuela Ristani. Por më 18 mars, ajo u zëvendësua me firmën e Veliajt nga Sara Goxhaj. Të nesërmen, Goxhaj u shkarkua nga detyra dhe iu ndërpre kontrata e punës, ndërsa në detyrë u rikthye sërish Ristani. Vetë kryebashkiaku i arrestuar sqaroi se emërimin e ri e kishte bërë për shkak të një keqkuptimi. Ndërsa reagimi i parë nga Rama erdhi sot.

Advertisement