Politike
“Rama do të vijojë të vjedhë zgjedhjet të përdorë krimin”, Bardhi pas seancës së posaçme në Kuvend
Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur pas seancës së jashtëzakonshme të zhvilluar sot në Kuvend. Bardhi tha se emërimet e reja janë diktuar nga krimi i organizuar. Ai ka shtuar se tre ministra janë individë anonimë që janë keqpërdorur në pozicionet e tyre administrative deri më sot nga grupet më të fuqishme kriminale. Bardhi tha se se kryeministri Edi Rama kontrollon gjithçka dhe se asnjëherë nuk kërkon ndjesë për aferat korruptive të qeverisë së tij.
“Së pari më lejoni të shpreh qëndrimin tonë në emër të grupit të PD për këtë që ndodhur sot. Nga sot krimi i organizuar është dhe më i fuqishëm në qeverisjen e vendit. Në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka diktuar Edi Ramës tre emërimet e reja në kabinetin qeveritarë, individë anonimë, që ishin keqpërdorur në pozicionet e tyre administrative deri më sot nga grupet më të fuqishme kriminale të përqendruara na qarkun e Durrësit
Për ne nuk ka asnjë dallim mes Nikollës dhe Spiropalit. Edi Rama kontrollon gjithçka. Deputetët e tyre i trajtojnë si kartona që ngrihen dhe ulen, jo si përfaqësues të interesit publik. Keni dëgjuar ndonjëherë km të kërkojë ndjesë për Ahmetajn, Beqajn, Tahirin, Kokën? Të gjithë ministra të shkuar para drejtësisë për shkak të aferave të qeverisë. Nuk e ka bërë kurrë. Në vend që të vendosë pikën te problemi, nuk thotë jam unë, por problemi është Klevis Xhoxhi apo Zaka e Korçës. Kjo tregon se sa kohë nuk kërkon ndjesë për aferat korruptive, do të thotë që mollët dhe dardhat i kanë ngrënë bashkë, kanë shtuar dhe qofte”, tha Bardhi.
“Rama do të vijojë të vjedhë zgjedhjet të përdorë krimin, administratën, paratë e pista. Ky është modeli i tij, të vjedhë zgjedhjet që të vjedhë Shqipërinë”, shtoi Bardhi kur u pyet për zgjedhjet e ardhshme.