Connect with us

Politike

Rama e kritikoi? Dumani i përgjigjet: Në godinën e re të BKH, dëshmitë do të jenë me audio dhe video

“Në çdo film sa herë që dikush shkon atje te dhoma e hetuesve, e para njëherë i tregohen të drejta e dyta i shtypet regjistrimi. I mbajnë me orë të tëra dhe i japin një copë letë. Se e kam provuar dhe unë një herë: Unë flisja dhe njëri shtypte tastierën. Ku jemi këtu ne?”

Kjo ishte kritika e Edi Ramës drejtuar SPAK-ut pas arrestimit të Erion Veliajt, ku kritikonte mënyrën se si regjistrohen dëshmitë e dëshmitarëve në Prokurorinë e Posaçme.

Gjatë raportimit në KLP, kreu i SPAK Altin Dumani iu përgjigj edhe kësaj kritike të Ramës, ku tha se në godinën aktuale puna e tyre vështirësohet për shkak të ambientit të vogël, por shtoi se me godinën e re, ata do të kenë kushte më komode. Sipas tij, në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetjen e dëshmitarëve, të cilat do të jenë me audio dhe video.

“Kemi 60 hetues të BKH të ndarë në dy seksione. E kam thënë dhe tani e them sërish,kemi hetues të BKH shumë të mirë, të zbardhur në faqe, që edhe prokurorit ia bën punën më të lehtë. Ka edhe hetues që lënë për të dëshiruar. Ka një proces vlerësimi që bëhet nga BKH dhe Prokurorë të Posaçëm që testojnë çdo dy vjet hetuesit e BKH. Ka hetues dhe janë për të dëshiruar, është punuar fort për trajtimet e tyre nga BE, apo edhe projekte të tjera. Punohet shumë me ta. Kushtet nuk i kemi pasur të mira për të ushtruar funksionet hetuesi të BKH. Janë 4-5 hetues në një zyrë, çka e vështirëson qoftë edhe marrjen në pyetje të një dëshmitari. Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij vitit të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre. Në godiën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje se të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne.”, u shpreh Dumani.

Advertisement