Connect with us

Politike

Rama i lumtur: Shqipëria në krye të Europës për rritjen e flukseve turistike

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar si një histori suksesi në fushën e turizmit. Gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, e mbajtur në Baku, Azerbajxhan, u publikua raporti që rendit Shqipërinë në krye të vendeve evropiane për rritjen e flukseve turistike. Sipas të dhënave, vendi ka shënuar një rritje prej 136% në krahasim me periudhën para pandemisë Covid-19.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se ky është një tjetër konfirmim i suksesit të modelit shqiptar të turizmit, i ndërtuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Shqipëria mori pjesë në këtë forum si anëtare me të drejta të plota, duke ndarë përvojën e saj dhe duke kontribuar në diskutimet që u pasqyruan në Deklaratën e Bakusë, me fokus turizmin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës

Rama tha se ky vlerësim ndërkombëtar vjen si dëshmi e potencialit në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik europian, me zhvillim të shpejtë dhe të orientuar drejt cilësisë dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

 

 

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike .

Raporti u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.

Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së #CEU si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.

Advertisement