Politike
Rama ironizon Berishën: Premton çudira që s’i bëri as kur nuk ishte ‘Non Grata’
Ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama ka qenë Lezha ku ka prezantuar kandidatin Pjerin Ndreu. Kryeministri iu drejtua qytetarëve që të mos bëjnë një gabim e të votojnë dyshe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Në fjalën e tij, Rama tha se për aq kohë sa Berisha nuk bëri asgjë kur nuk e kishte “damkën Non Grata”, nuk mund të bëjë kurrsesi asgjë më shumë.
Përballë Pjerin Ndreut është kandidati Pashk Gjoni. Rama tha se nuk e njeh Gjonin personalisht, por shtoi se i mjafton fakti që ai kandidon për dyshen Berisha-Meta, për të kuptuar se është zgjedhja e gabuar.
“Janë disa Bashki ku njerëzit duhet të ftillohen, këto zgjedhje janë mes një njeriu të aftë dhe të përkushtuar, me kë? Nuk e njoh se kush është, po një njeri që i jep fytyrën, emrin, zërin, 2 hijeve me siguri ka një problem me sistemin e vendimmarrjes në kokën e vet, i ka humbur pini”, shtoi Rama.
Ai renditi edhe disa nga premtimet e tij, si rritja e pagës mesatare në 900 euro apo që shqiptarët të kenë të ardhura për frymë 10 mijë euro në vit. Rama shtoi se të gjitha problemet që ka qyteti, nuk mund të zgjidhen nga Meta dhe Berisha, pasi sipas tij, ato “kanë hallet e tyre më të vështira për t’u zgjidhur”.