Politike
Rama jep lajmin e madh: Së shpejti hapim shkollë teknologjike bashkë me presidentin Macron

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria synon të zgjerojë rrjetin e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla, duke e çuar numrin e tyre në 1000. Gjatë një takimi me të rinj të angazhuar në teknologji dhe inovacion, Rama u shpreh se është thelbësore të krijohen më shumë “rrugë” për akses në teknologji, që nga arsimi fillor.
“Sot janë 340 shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët që në klasë të parë mësojnë hapat e parë të teknologjisë dhe kodimit. Plani është që të shtrihemi në 1000 shkolla – ky projekt është tashmë i financuar,” tha kreu i qeverisë. Ai shtoi se në Vlorë po përfundon edhe një tjetër strukturë teknologjike.
Një tjetër lajm i rëndësishëm, sipas Ramës, është hapja e një shkolle teknologjike te Piramida në Tiranë, në bashkëpunim me presidentin francez Emmanuel Macron. Shkolla do të jetë e hapur për të gjitha grupmoshat.
“Nuk duhet të shohim një 40 apo 45-vjeçar si një dinozaur kur i afrohet teknologjisë,” u shpreh Rama, duke theksuar se teknologjia duhet të jetë e aksesueshme për të gjithë, pavarësisht moshës

