Politike
Rama jep tokë dhe 10 vjet pa taksa/ Rregullat: Kush aplikon i pari, fiton parajsën ekonomike!

Në kuadër të axhendës elektorale, kryeministri Edi Rama vizitoi Kukësin, ku theksoi arritjet dhe sfidat që ka Shqipëria për të përmbushur objektivat e saj deri në vitin 2030, veçanërisht lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai foli për Paketën e Maleve dhe njoftoi se kjo iniciativë do të fillojë të zbatohet pas zgjedhjeve të 11 majit.
Rama shpjegoi për qytetarët se si mund të përfitojnë nga kjo paketë, e cila ofron mundësinë për të krijuar biznese në fushën e agroturizmit. Ai shtoi se aplikantët e parë, deri në 500, do të kenë mundësinë të përfitojnë pa pasur asnjë detyrim fiskal ndaj shtetit, duke iu dhënë mundësi të plotë për të investuar në bizneset e tyre.
“Pas zgjedhjeve do të fusim në punë Paketën e Maleve. Paketa e Maleve është shumë e thjeshtë dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve për turizëm dhe agroturizëm, duke bërë disa hapa të thjeshtë. Pronari faktik, por që nuk ka letra depoziton në bashki kërkesën që t’i njihet dhe bashkia bën afishimin në 30 ditë të të gjithë pertinentëve. Në momentin që mbaron 30 ditëshin dhe rezulton që personat janë të pakontestuar, bashkia u jep vendimin që të investojnë në tokën e tyre.
Ata bëjnë një projekt investimi dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një regjistrimin dhe e marrin tokën me 1 euro. Pasi kanë bërë investimin do të marrin certifikatën e pronësisë. Në rastet se del dikush tjetër që pretendon se është pronari faktik i pronës, nuk ka më kthim mbrapa, për të tilla raste merret qeveria dhe e zgjidh ajo. Për 500 aplikimet e para, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë gjë mjafton të bëjnë investimin”, tha Rama.

