Connect with us

Kosova

Rama ka bërë gjithçka për Kosovën/ Haliti: Kurti do jetë problem

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për situatën në Kosove dhe përpjekjet e vendit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar SHBA dhe BE. Ai gjithashtu komentoi edhe viziten e delegacioneve te 5 të mëdhenjve në Kosovë e Serbi

Ai tha se  paketa e evropianëve mund të jetë një paketë joshëse për të dyja palët, deri diku mund të jetë formulë detyruese për zbatimin e saj dhe se shpreson që Kosova dhe qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do të bashkëpunojë me palën europiane.

“Mendoj se do jetë paketë joshëse, për të dyja palët. Tani nuk do të ndalen tek çështje të veçanta, por mund të jetë një paktë se si do të jetë zbatueshmëria e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të zotuara në Ohër. Mendoj se edhe pas miratimit të rezolutës është trajtuar në mënyrë të drejtë në Parlamentin e Evropës dhe po pres dhe po shpresoj që edhe Kurti si kryeministër i Kosovës do të jetë më bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare dhe paketa, e cila besoj se nuk është dëmtuese për Kosovën do jetë shtysa e domosdoshme dhe mbase të mos them e fundit, por mund te jetë detyruese në njëfarë mënyre”, tha Haliti

Deputeti i PDK-së foli dhe për deklaratën e Macron për vizat, teksa shtoi se më tepër se sa kërcënim, fjala e presidenti të Francës ishte një qortim publik për Kosovën.  Ai theksoi se nëse Kosova nuk do të gjejë një mirëkuptim dhe dakordësi  me ndërkombëtarët, atëherë kjo do të ishte gjë e keqe dhe me pasoja për vendin.

“Macron e ka deklaruar se ekziston mundësia në qoftë se Kosova tregohet e padëgjueshme dhe nuk mban fjalën, do ndërmarrim hapin për mos-heqjen e vizave për Kosovën. Ishte jo kërcënim, por qortim publik i Kosovës, që në variantin e tij nuk e ka zbatuar marrëveshjen dhe ashtu siç nuk e ka zbatuar as Serbia. Zëvendëskryeministri mund të ketë shkuar për të takuar këshilltarët e Macron, por shpresoj që në takimet që do bëhen me ndërmjetësuesin e bisedimeve dhe me përfaqësues te  shteteve kryesore të BE dhe SHBA, që qeveria e Kosovës dhe kryeministri I Kosovës do dakordohen dhe nëse jo, atëherë problem i madh do të jetë edhe për Kosovën” –potencoi deputeti I PDK

Por si duhet t’i lexojë Kosova tensionet në Lindje të Mesme dhe sa mund të ndikohet prej tyre, për këtë Haliti tha se nuk ka nevojë për frikë, pasi angazhimi i KFOR dhe vendeve të tjera do të çojë në qetësim të gjendjes në veriun e Kosovës.

“Nuk ka nevojë të frikësohemi, sepse rezoluta e PE-së është mjaft domethënëse dhe besoj se hetimet që po kryhen qoftë nga Kosova dhe qoftë nga pala ndërkombëtare do ta argumentojnë 100% angazhimin e Serbisë në përplasjen  e cila ishte organizuar të bëhet si kryengritje, por ajo dështoi. Policia, KFOR, EULEX kanë ndërmarrë veprime dhe besoj se Vuçiçit i eshte djegur koha dhe pas angazhimit për shtimin e forcave të NATO, besoj se situata ka filluar të ndryshojë dhe do të ndryshojë pozitivisht dhe është mirë që këto dy vende të merren vesh dhe të harrohen idetë e luftërave dhe armiqësive” – tha Haliti.

Në fund ai komentoi edhe thirrjen e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për kryeministrin e Shqipërisë, të cilit i kërkoi të ndihmojë Kosovën në këtë proces “krize”. Ai tha se Rama ka bërë gjithçka ka mundur dhe roli i tij në ndihmën e dhënë për Kosovën është për t’u përshëndetur.

“Në gjykimin tim nuk ka nevojë askush që ti kërkojë kryeministrit të Shqipërisë që të përpiqet sa më shumë për ta ndihmuar Kosovën. Unë mendoj se ai e ka detyrë dhe është e kuptueshme se ai ka bërë gjithçka ka mundur në këtë drejtim” – deklaroi Xhavit Haliti

Advertisement