Connect with us

Politike

Rama krahason operacionet “Fshesa” me genocidin e Çamërisë gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e parë në Greqi ditën e sotme para emigrantëve shqiptarë, në favor të fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. I zhytur në djersë, Rama ka kujtuar gjatë fjalimit të tij operacionet ‘Fshesa’ që Greqia ka bërë kundër emigrantëve të paligjshëm, ku më së shumti ishin shqiptarë.

Rama në fjalimin e tij theksoi se shqiptarët përjetuan poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX. Në kulmin e fjalës së tij dhe i lodhur nga qëndrimi prej më shumë se dy orësh në këmbë, Rama e ngriti zërin kur foli për poshtërimin dhe përbuzjen që iu bë shqiptarëve të asaj kohë në vitin 1993 nga kryeministri i atëhershëm Konstandin Mitsotakis.

U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy tre punë në ditën që nuk mbaronte, duke zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna,” tha Rama.

Por ajo që nuk përmendi Rama është busti që ai vetë i ngriti Konstandin Mitsotakis në fshatin Derviçan të Dropullit vitin e kaluar. Gjatë fjalës së tij në përurimin e bustit, Rama thuri elozhe për ish-kryeministrin grek, edhe pse ishte ky i fundit ai që nisi operacionet ‘Fshesa’ ndaj shqiptarëve.

Konstantin Mitsotakis u burgos dhe u dënua me vdekje dy herë nga nazistët, por mbijetoi për mrekulli falë shkëmbimit të 30 të burgosurve gjermanë me dhjetë të burgosur grekë. Për kontributet dhe aktet e tij të jashtëzakonshme të rezistencës, ai u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe Britanisë së Madhe,” theksoi kryeministri Rama në fjalën e tij gjatë përurimit të bustit.

Por me kaq nuk ka asgjë të keqe, deri në momentin kur Rama guxoi dhe krahasoi operacionet e viteve ’90-2000, me gjenocidin që iu bë shqiptarëve të Çamërisë para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore. Kjo pasi në operacionet ‘Fshesa’ emigrantët shqiptarë janë dëbuar nga Greqia dhe sjell në vendin e tyre, ndërkohë që ndaj çamëve iu është bërë masakër dhe gjenocid i pastër.

“Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë” tha Rama.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.

Vetë shqiptarët e Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin, ende në ditët e sotme i kanë të freskëta masakrat, të cilat sipas tyre nuk kursyen as fëmijët dhe as gratë shtatzëna. U masakruan me armë të ftohta, me varje, zjarr, ndërsa bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë. Për të ndihmuar refugjatët çamë, u angazhuan edhe institucionet ndërkombëtare, duke ngritur kampe në Shqipëri.

Advertisement