Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sot projektin e Portit të ri të Durrësit, duke e konsideruar një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare.

Gjatë fjalës së tij, ai hodhi poshtë kritikat mbi zhvendosjen e portit tregtar nga qendra e qytetit, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri për modernizimin e infrastrukturës portuale të vendit.

“Vetëm një mendje e mbyllur mund të pretendojë se një port tregtar duhet të qëndrojë mes qytetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se porti i vjetër i Durrësit ishte një qendër kanceroze për zhvillimin urban dhe ekonomik.

Kryeministri njoftoi se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri është hapur dhe se shumë shpejt do të nisë puna. Financimi do të mbulohet nga qeveria shqiptare, dhe porti do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, duke e shndërruar Shqipërinë në një pikë kyçe tregtare për rajonin. Ai shtoi se projekti do të përfshijë edhe ndërtimin e dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe Shkup, duke fuqizuar lidhjet tregtare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një zhvillim tjetër, Rama konfirmoi se porti i ri do të ketë një krah ushtarak, duke u bërë bazë e NATO-s. “Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja,” tha ai, duke theksuar se ky investim do të rrisë ndjeshëm sigurinë e Shqipërisë dhe rëndësinë e saj strategjike në Mesdhe.