Politike
Rama: Militantët qenkan fyer nga tikitaka ime me Lulin, do qani prapë, ejani me mua

Ndërsa prej ditësh vijojnë deklarata dhe ironitë ‘ping-pong’ mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në rrjetet sociale, kryeministri ka bërë një tjetër reagim këtë të shtunë. Rama thotë se stafi i tij që merret me rrjetet sociale e ka informuar se militantët demokratë janë fyer nga kjo mënyrë komunikimi që ai ka zgjedhur të bëjë me ish-kryetrarin e PD, por kreu i PS iu drejtohet duke iu thënë se mirë është që të mos qajnë hallin e Lulzim Bashës, por “të kënetës dhe bufit” pasi i pret një tjetër humbje.
Rama u ka bërë thirrje demokratëve që të bashkohen me PS dhe të votojnë numrin 5 më 11 maj, që të “mos qajnë sërish”, pasi sipas tij, Partia Socialiste do të fitojë mandatin e katërt.
“Dhe Lulin punë pune e kam unë deri në 11 maj, pastaj ka gjumin e verës ai, kështu që mos qani hallin e programit për ato 5 minuta që harxhoj unë me Lulin, por qani hallin tuaj. Ju harxhuat 8 vjet me Lulin, e mbajtët kryetar, pastaj përfunduat te bufi prapë kur iu tha që për një muaj do ju kthej në pushtet se e ka fajin Luli. Po tani Luli e ka prapë fajin? Të paktën qeshni pak për ato 5 minuta, se ngelët duke qarë nga humbja në humbje. Ndaj hidhuni këtej, siç po bëjnë shumë, braktiseni kënetën dhe bëhuni me mua”, vijoi Rama më tej.

