Kryeministri Edi Rama ndodhej sot në Himarë, ku u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale me probleme kronike. Kjo nismë përmbyll zotimin e qeverisë për zgjidhjen e çështjeve pronësore në këtë zonë.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama njoftoi projekte të reja për përmirësimin e jetës së banorëve të Himarës. “Jemi duke diskutuar për një projekt madhor për një parkim të madh nëntokësor pranë fushës së sportit, që do të akomodojë një numër të madh automjetesh,” tha Rama. Ai shtoi se do të ndërmerren edhe ndërhyrje të reja në qendrën e Himarës për ta transformuar atë.
Rama theksoi rëndësinë e legalizimit të shtëpive për zhvillimin ekonomik të zonës: “Kjo që po bëjmë sot është themeli për forcimin e ekonomisë së nesërme. Do të rrisim energjinë dhe potencialin e gjithë territorit të Bashkisë së Himarës, duke krijuar kushte për një zhvillim gjithëpërfshirës.”
Kjo nismë vjen si pjesë e strategjisë së qeverisë për zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe zhvillimin ekonomik të zonave bregdetare.