Connect with us

Politike

“Rama në Athinë si shoku Enver në Moskë”, Roland Bejko: Po të isha emigrant…

Po të isha emigrant në Greqi edhe unë mund të isha pjesë e atij mitingu. Kështu u shpreh nënkryetari i PD-së Roland Bejko, në studion e Ditarit me Bruna Çifligun në A2 CNN, duke komentuar takimin e kryeministrit Rama në Athinë, ndikimin që do të ketë te shqiptarët dhe marrëdhëniet me shtetin helen.

“Kur vjen kryeministri i vendit tënd nuk ka rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë. Kur je jashtë dhe aq më tepër emigrant në Greqi, pavarësisht mikpritjes së popullit grek, qeveritë greke nuk kanë qenë kaq të mirësjellja me shqiptarët sa populli grek. Shqiptarët janë ndjerë jo të integruar në jetën greke në të gjitha aspektet. Në këtë kontekst do ta duartrokisnin fjalimin me ngjyra patriotike në mes të Athinës. Si takimi i Ramës në Athinë ka bërë edhe Berisha në Shkup në 2012”.

Pikëpyetja që ngre Bejko është se çfarë do të përfitojnë shqiptarët dhe Shqipëria nga ky miting i kreut të qeverisë shqiptare në Athinë, pasi sipas tij Rama luajti dramën e tij për të marrë një mandat të katërt dhe dramën e shqiptarëve, ndërsa thekson se vizita do t’i shërbejë Belerit.

“Jemi në vit elektoral dhe Rama nuk është rishtar po konsumon mandatin e tretë dhe do marrë të katërtin dhe do të fokusohet te karta nacionaliste, me një turbo folk politik, se e di që shqiptarët janë në kërkim të identitetit të tyre prej vitesh. Për ne perëndimi është busulla dhe Rama do të luajë me këtë kartë i ndihmuar edhe nga fakti që opozita është e përçarë.

Por Rama këto premtime i ka bërë edhe në 2013, ka premtuar votën e emigrantëve që në 3 mandate nuk i ka bërë. PD ka muaj që kërkon votën e diasporës, ka premtuar pensionet nuk i ka realizuar. Të gjithë emigrantët kërkonin pensionet. Rama bëri sikur sa ka ardhur në pushtet që do të ngrejë çështjen çame apo heqjen e ligjit të luftës, ndërkohë që është takuar dhjetëra herë me kryeministrin grek”.

Mitingu i Ramës mund të ketë pasoja për emigrantët shqiptarë në Greqi, thotë Bejko. Sipas tij kryeministri duhet të kishte bashkëbiseduar me ta për çështjet që i shqetësonin dhe po kështu edhe me qeverinë greke.

“Grekët dhe francezët janë më rebelët në Europë dhe në momentin që t’i kapardisesh ata nuk e durojnë dot dhe pasojat do i kenë emigrantët. Në këto kushte Rama do t’ua bëjë më të vështirë jetën shqiptarëve. E kuptoj pse Rama i bën lëvizjet e tyre, unë sot e justifikoj fjalimin e Ramës si emigrant dhe jo si politikan. Nuk ka bërë asgjë për shqiptarët atje, janë organizuar vetë ose përmes komuniteteve. Duhet të kishte bashkëbisedime me emigrantët për çështjet që i shqetësojnë dhe bisedime me qeverinë greke.

Si shoku Enver në mbledhjen e 81 partive, marksistëve në Moskë edhe Edi Rama në Athinë u theu turinjtë grekëve, u kujtoi çështjen çame që revolucionin e fitoi nga Bubulina. Një kryeministër normal do shkonte te qeveria greke dhe do thoshte për negocim për ligjin e luftës. Situata nuk do të ndryshojë madje burokracia greke do t’ua vonojë kartat shqiptarëve për shkak të ngritjes së flamurit shqiptar në Athinë kur ti u tregon fuqinë atyre, ata të kundërpërgjigjen. Mund të na përkeqësojë marrëdhëniet”.

Sipas tij, marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë në këto momente janë në pikën më të keqe që nga viti 2000 dhe përgjegjësinë për këtë, sipas Bejkos e ka Rama, teksa sjell në vëmendje negociatat e 6 viteve me parë me Greqinë, që u la në mes pa asnjë shpjegim.

“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë në këto momente janë në pikën më të keqe të mundshme që nga viti 2000 e mbrapa. Rama kur mori pushtetin në 2013 ka thënë; zero probleme me fqinjët, ndërkohë që kemi probleme veçanërisht me Greqinë, por edhe Kosovën. Nuk është vetëm çështja Beleri. Në 3 mandate nuk ka një takim zyrtar në Greqi. Nuk i falet. Edhe Greqia nuk është në politikën e vjetër me theks nacionalist, ku kisha kishte ndikim të fortë në qeveri. ish-presidenti Papulias ka thënë që shekulli i ri do të jetë shekulli i shqiptarëve. Rama është përgjegjës në përkeqësimin e këtyre marrëdhënieve.

U zhvilluan negociatat ku caktoi negociator ish-ministrin e jashtëm Bushati, u realizua një paketë për çështjet. Rama prishi marrëveshjen se largoi ministrin e jashtëm. Paketa përmbante njohjen e dilemave për kufirin tokësor të Shqipërisë me Greqinë, çështjen e emigrantëve shqiptarë do të përshpejtoheshin procedurat për nënshtetësinë, lejet e punës, patentat ku emigrantët do të merrnin do trajtohej ligji i luftës dhe çështja e detit dhe një sërë çështjesh që u injoruan. Ishte një paketë shumë e mirë, Rama e la në mes këtë paketë”.

Advertisement